Qeveria do rregjistrojë delet e lopët për 8.9 ml euro. Harron subvencionet!

Për të numëruar çdo metër tokë që mbillet, çfarë kultivohet, sipërfaqja e fermave bujqësore, makineritë që përdoren e deri tek të punësuarit në këtë sektor, por edhe për regjistrimin e çdo krerë bagëtie, ferme blegtorale apo çdo koshere blete, do të shpenzohen 8.9 milionë euro në 2026-ën.

Vitin e ardhshëm pritet të realizohet ‘Censi i Bujqësisë’, 14 vjet pasi është bërë ‘fotografimi’ i fundit i këtij sektori në Shqipëri.“Censi i bujqësisë përfshin të gjitha njësitë ekonomike, që kanë në përdorim tokë bujqësore apo që kryejnë aktivitet bujqësor ose blegtoral, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Njësitë ekonomike bujqësore, objekt i censit, tregtojnë plotësisht apo pjesërisht produktet e tyre, ose mbulojnë vetëm nevojat e tyre familjare”, thuhet në nenin 3 të projektligjit që është hedhur në konsultim publik.