“Nga viti i ardhshëm nuk do jetë një çek në maternitetin e lindjes, por një mbështetje financiare çdo muaj sipas numrit të fëmijëve”, tha Rama më 7 maj 2025, teksa zhvillonte fushatën elektorale.Pas 6 vitesh në fuqi të skemës së bonusit të bebes që dhuron çekun menjëherë pas lindjes në varësi të numrit të fëmijëve, qeveria ka gati skemën e re për shpërblimin e lindshmërisë. Report TV mëson se mbështetja financiare nga 1 janari 2026 nuk do të jetë vetëm një pageë në moment kur fëmija lind, por pagesë mujore nga 0 deri në 5 vjeç, shifra e së cilës rritet nga fëmija i parë te treti e në vijim.
Për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit, (300 mijë në 5 vite) nga 40 mijë lekë në total që është çeku aktual. Për fëmijën e dytë skema e re parashikon pagesë 7 mijë lekë në muaj deri në moshën 5 vjeçare ose 84 mijë lekë në vit, nga 80 mijë lekë që është pagesa aktualisht.
Ndërsa për fëmijën e tretë pagesa mujore do të jetë 10 mijë lekë, ose 120 mijë lekë në vit ose 600 mijë lekë për 5 vitet e para të bebes. Kurse bonusi sot për beben e tretë është 120 mijë lekë.