Kosova, 16 vite shtet roli kryesor në pavarësi ish presidenti Bill Klinton!

Shtetet e Bashkuara luajtën një rol kyç në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës dhe e njohën atë një ditë pasi u shpall nga udhëheqësit e vendit më 17 shkurt 2008. Ndërsa Kosova përgatitet të festojë 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë të shtunën, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe qeverisë së vendit që shpesh është konsideruar si ndër më pro-amerikanët në botë, janë në pikën më të ulët.

Materiali sjell një vështrim mbi lidhjet Amerikë – Kosovë, nga përkushtimi amerikan se do të jetë përkrahë Kosovës përgjithmonë deri te vënia në dyshim e partneritetit mes qeverive të të dy vendeve.Çdo datë me peshë në historinë moderne të Kosovës ka lidhje me përkrahjen amerikane. Pavarësisht se cila parti udhëhiqte Shtëpinë e Bardhë dhe megjithë konfliktet e brendshme politike amerikane, përkrahja ka qenë dypartiake.

“Ne dhe aleatët tanë të NATO-s kemi filluar bombardimet vetëm pas përpjekjeve të përsëritura për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë”, ka thënë ish presidenti amerikan Bill Clinton më 24 Mars 1999.

Nga sulmet ajrore të NATO-s e deri te shpallja e pavarësisë dhe sigurimi i njohjeve që janë arritur deri më tani, Uashingtoni ka luajtur rol kyç në këto procese.

“Pavarësia është qëllimi dhe kjo është ajo që populli i Kosovës duhet ta dijë”, tha Presidenti George W. Bush në Tiranë në qershorin e vitit 2007, rreth 8 muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa u bë Presidenti i parë amerikan i cili vizitonte Shqipërinë.

Një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condolezza Rice përmes një deklarate njoftoi se Uashingtoni njeh pavarësinë e Kosovës.Në përfundim të deklaratës thuhet: “Ndërsa Kosova fillon jetën e saj si shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara zotohen se do të vazhdojnë të jenë miku dhe partneri i saj i ngushtë.

”Në korrikun e atij viti, Presidenti Bush priti në Shtëpinë e Bardhë, homologun nga Kosova Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, duke bërë këtë zotim:“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me kombet që nuk e kanë njohur Kosovën që t’i bindim ta bëjnë këtë sa më shpejtë”, tha Presidenti Bush.

“Unë besoj fuqishëm në pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës dhe aspiratën e saj për t’u bërë partner i plotë në bashkësinë ndërkombëtare dhe anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Hillary Clinton ndërsa ishte Sekretare e Shtetit në administratwn e parë të Presidentit Barack Obama.