Vetëm të dielën e të hënën, pesë persona janë vrarë në Kosovë.Rasti më i fundit është ai mbrëmë në Hajvali, ku një person u vra.
Sipas dëshmive të para, ngjarja ndodhi pas një konflikti në trafik.Rastin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.“Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit”, tha Ahmeti
Rasti i parë që tronditi Kosovën ndodhi në Gjilan, atje ku u vranë tre persona.Si rezultat, në kërkim është shpallur Mefail Shkodra, Engjull Shkodra dhe Edmond Shkodra.
Pra, babai me dy djemtë.Sipas dyshimeve të para, ngjarja ka ndodhur për shkak të fajdeve.Inspektorati Policor i Kosovës dje ka suspenduar katër zyrtarë policorë, të dyshuar se nuk kanë vepruar siç duhet për kapjen e të dyshuarve.
“Bazuar në autorizimet ligjore dhe në rëndësinë e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Bazuar në rekomandimin e IPK-së janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan. Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Mefail Shkodra ishte arrestuar vitin e kaluar nën dyshimet për fajde, dhe kishte qëndruar katër muaj në paraburgim.Pas katër muajsh, avokatët e tij kërkuan që paraburgimi të zëvendësohet me dorëzani në vlerë 70 mijë euro, për të dhe djalin e tij.Gjykata e aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale, dhe Mefail Shkodra u lirua.
Ky i fundit kishte pasur 31 vepra në të kaluarën.Një tjetër vrasje ndodhi të dielën në mbrëmje.Në Zhur të Prizrenit një person u qëllua me thikë, dhe nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.Policia e ka arrestuar të dyshuarin.“Për shkak të lëndimeve të rënda, i njëjti është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK- në Prishtinë, mirëpo për shkak të plagëve në pjesën e gjoksit, viktima ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitet relevante policore, dhe me urdhër verbal të prokurorit, policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: Një (1) brisk patente (që dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale); Një (1) veturë e markës “Audi”.
I pandehuri E.B., është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. Për të njëjtin, prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë në Prizren.nacionale