Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë Presidentin e ri. Mesnatën e 28 prillit, përfundoi afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, çka bëri që Kuvendi të shpërndarhej dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
“Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në fund të seancës, fiks në orën 00:00.
Seanca për zgjedhjen e presidentit nisi të hënën, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën si kandidate, në mungesën e arritjes së një marrëveshje. Ndonëse nuk pati 80 votat e nevojshme, u mbajt raundi i parë i votimit, ku Rushiti mori 63 vota e një u shpall e pavlefshme. Në seancë munguan deputetët e opozitës, LDK, PDK, AAK dhe të Listës Serbe, duke bërë që të mos plotësohej kuorumi për zgjedhjen e presidentit.
Kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për këtë situatë, duke theksuar se pakica parlamentare nuk do përgjegjësi, por kërkon vetëm bllokimin e punës së qeverisë.
“Sot janë mbushur 4 muaj nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, pra jo katër vjet dhe ja ku jemi në një seancë e cila bojkotohet nga opozita. Vetëm katër muaj pas zgjedhjeve duan sërish zgjedhje, ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje, ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet, por duan që këtë mos ta kemi as ne. Por këtë nuk e vendosin ata, po populli i Kosovës. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne, është e vështirë të gjendet diku tjetër një qeveri që ka kaluar në kriza të shumta, prej pandemisë COVID-19, pastaj te kriza e inflacionit dhe energjisë, pastaj edhe te sulmet e vazhdueshme të Serbisë dhe ka dalë fitimtare në të gjitha rrafshet dhe në fund ka marrë edhe mbështetje më të madhe popullore. Edhe kështu do të jetë. Por demokracia dhe institucionet nuk do vejnë vullnet të qytetarëve, nuk do vetëm mbështetje dhe politikanë për parti të caktuara, dhe këtu është sjellja antishtetërore e partive të caktuara”, tha Kurti.
Këto janë zgjedhjet e treta që Kosova do të zhvillojë brenda 1 viti e 4 muajve.