Të gjitha këto produkte, që shihni në video, janë të skaduara, por ato ishin bërë gati për tu hedhur në treg për konsum. Një operacion i Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Policinë e Tiranës ka çuar në zbulimin e kësaj magazine që falsifikonte datat e skadencës për produktet ushqimore, duke çuar në pranga administratorin e subjektit Florenc Domi, 38 vjeç, si dhe magazinieri Agim Domi, 58 vjeç.
Ndërkohë, në hetim është vënë ortaku dhe shoferi i magazinës.Bëhet fjalë për subjektin ‘Master AL’ në Vorë. Ky subjekt, me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, merrte produkte nga jashtë dhe furnizonte markete në Tiranë, Durrës e Elbasan.
Më pas, kur produkteve u afronte data e skandencës, i tërhiqte nga këto markete dhe u falsifikonte datat e skandencës duke i hedhur sërish në treg.
Gjatë kontrollit në magazinën e subjektit “Master AL”, janë sekuestruar 716 koli me produkte ushqimore të përpunuara, të cilave u ishte kaluar afati i përdorimit që në muajin janar dhe shkurt 2025, por që ishin etiketuar sërish me data të reja skadence, me qëllim rihedhjen në treg, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.