E rëndë në Durrës, mjeti me shpejtësi përplas për vdekje dy fëmijët, një tjetër në gjendje të rëndë! Shoferi i dehur

DURRËS– Katër fëmijë të mitur po luanin në trotuar në Durrës, kur një mjet me shpejtësi skëterrë vjen dhe i merr përpara. Dy prej tyre ndërruan jetë në vend, një tjetër po lufton për jetën në spitalin e Traumës, ndërsa fëmija i katërt ka shpëtuar mrekullisht.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20 në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, e njohur edhe si ish-këneta, ndërsa shoferi 57-vjeccar Nikoll Radaçi është vënë në pranga dhe dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur.

Banorët e zonës pas ngjarjes tregojnë se rruga është burim i përhershëm aksidentesh për shkak të lëvizjes me shpejtësi të mjeteve.

“Ka një problem këtu, ecin shpejtë shoferët, ecin shpejtë shoferët, por Policia duhet të bëjë më tepër kontrolle në këtë rrugë”, tha një banor.

“Shoferët ecin shumë shpejtë në këtë rrugë. Disa janë edhe të lagjes, pa patenta, por ecin kokërr plumbi”, tha një tjetër banor.

“Si të tërbuar ecin njerëzit këtu në rrugë. Po bëhet rruga këtu gjak dynjaja përditë e përnatë”, tha një tjetër.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë fiksuar detajet e ngjarjes së rëndë rrugore.