Punonjësit e Policisë së Shtetit do të plotësojnë një tjetër formular në kuadër të lidhjeve apo kontakteve me krimin e organizuar. Drejtuesi Muhamet Rrumbullaku firmosi urdhrin, ndërsa procesi i plotësimit të formularit për çdo punonjës do të zgjasë deri më 30.06.2024.
Rrumbullaku thotë se është prioritet procesi i pastrimit të policisë nga ata persona që shkelin ligjin dhe betimin.
Ai thekson se askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj.
“Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj.
Kam bindjen e plotë se, organizata e Policisë së Shtetit ka forcën dhe energjinë e duhur pozitive për të izoluar dhe larguar nga radhët e saj çdokënd, që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit e sigurisë publike dhe lufta e pakompromis ndaj krimit”.