Mbahet sot seanca për Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi!

Mbahet sot, në orën 10:30, seanca e radhës në GJKKO për dosjen Partizani, ku Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi janë nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.

Seanca e parë, e mbajtur më 30 qershor, u shty për shkak të mungesës së Sali Berishës me pretendimin se nuk kishte marrë fletëthirrjen, dhe mungesës së Fatmir Bektashit, i cili argumentoi se është sëmurë. Malltezi, i cili ishte i pranishëm, tha para trupës gjykuese se nuk e kishte njoftuar Berishën për fletëthirrjen për t’u paraqitur në gjykatë.

Në mungesë të Berishës dhe me kërkesë të prokurorit të SPAK Arben Krajës, i cili deklaroi se ish kryeministri nuk është njoftuar në përputhje me ligjin, treshja me kryesuese Elsa Ulliri dhe relatorë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi, vendosën që ta shtyjnë seancën më datë 21 korrik ora 10:30.