Regjistri i agjentëve të huaj në Departamentin amerikan të Drejtësisë tregon se ish-zëvendëskryeministri i kërkuar për korrupsion dhe pastrim parash, gjendet në Lugano të Zvicrës dhe se ka angazhuar një lobist me një kontratë 150 mijë dollarëshe për të luftuar në SHBA akuzat “e pavërteta” për korrupsion në Shqipëri. Një turp për vetë Ahmetajn që lufton shtetin shqiptar dhe reformën në drejtësi.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nënshkroi një kontratë me vlerë 150 mijë dollarë për të informuar qeverinë amerikane për pretendimin se akuzat e shumëfishta për korrupsion kundër tij në Shqipëri janë “të pavërteta”.
Dokumentet e lobimit, të depozituara nga kompania lobuese e kontraktuar nga Ahmetaj, incidentalisht zbulojnë gjithashtu se ish-zëvendëskryeministri banon aktualisht në Lugano të Zvicrës, qyteza piktoreske e njohur si rezidencë për banka dhe për biznesmenë, në brigjet e liqenit me të njëjtin emër në kufi me Italinë.
Ahmetaj është në arrati nga drejtësia shqiptare, i kërkuar që nga qershori i vitit të kaluar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se ai dhe familjarë të tij kanë përfituar vila dhe pagesa me vlerë qindra mijëra euro nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, gjithashtu në arrati nga drejtësia shqiptare.Sipas SPAK, Zoto ka përdorur kartën e tij bankare si dhe llogaritë e kompanisë ITS për të paguar shpenzime të ndryshme për Ahmetajn dhe të afërm të tij, përfshirë hotele luksi në vende të ndryshme apo shpenzimet për rinovimin e një apartamenti.Ahmetaj pretendon se është i pafajshëm ndaj akuzave.
Në një intervistë për televizionin “Syri” të Berishës , ai deklaroi se ka marrë kërcënime me jetë, ndërsa nuk zbuloi se ku gjendej. Ai i kërkoi SPAK-ut të hetojë çështjen e inceneratorit të Tiranës përmes praktikës së “ndjekjes së parave”, ndërsa deklaroi se rezultatet e një hetimi të tillë do ‘t’i trondisin shqiptarët’.