Prapaskena Investigim
Çuni i Irfanit pushime luksoze në Sardenja, gazetarët pa rroga të News24 detyrohen të protestojnë në 40 gradë për godinën publike të zaptuar nga biznesmeni, panorama e një krimi ekonomik.

Një ngjarje groteske po zhvillohet në Tiranë. Biznesmeni Irfan Hysenbelliu po përdor gazetarët (katër muaj pa rroga dhe dy vjet pa siguracione) në rezistencën e tij, për të mos liruar disa ambiente publike në Shkozë, të cilat i ka shfrytëzuar prej dy dekadash si zyra për grupin e tij mediatik, përfshirë edhe televizionin News 24, përmes një kontrate klienteliste qiraje, të cilën nuk e ka zbatuar asnjë ditë.Përballë një vendimi gjykate të formës së prerë, i cili urdhëron që Irfan Hysenbelliu duhet të lirojë godinën e shtetit, biznesmeni ka zgjedhur të fshihet pas zhurmës mediatike se po cënohet liria e medias, po groposet fjala e lirë, se po grabiten dosjet e korrupsionit që do shembnin qeverinë, madje duke nxjerrë gazetarët në protestë para godinës shtetërore, për të cilën kontrata e qirasë i ka mbaruar që në vitin 2022.
(Teksa 13 mijë m2 pronë publike i ka ‘blinduar’ deri në vitin 2033 kur Ben Ahmetaj ishte ministër Ekonomie, Fania e di se godinën tjetër publike, për të cilën ka një vendim gjykate për t’a liruar, nuk mund t’a përdorë më si ambient për televizionin e tij privat. Por skenari i ‘cënimit të lirisë së medias’ me gazetarë që urdhërohen të vajtojnë dhe madje të përplasen me policinë, Fania shpreson se mund t’a ndihmojë në një betejë të mundshme në Arbitrazh, duke iu referuar precedentit Becchetti, edhe pse rastet nuk kanë asgjë të përbashkët.
Por zhurma artificiale mund të jetë edhe në funksion të mbajtjes së pasurisë tjetër publike, konvikti i Gjuhëve të Huaja, i grabitur nga Irfan Hysenbelliu, godinë që e ka kthyer në univesitet privat ‘Luarasi‘ pasi mori në zotërim 100 % të aksioneve).
Teksa gazetarët detyrohen të protestojnë në 40 gradë në funksion të planit të Arbitrazhit që i frynjnë në vesh derdimenët e SHQUP-it, çuni i Irfan Hysenbelliu, Fatmir Hysenbelliu, i njohur me ’emrin artistik’ Oni, po shijon pushimet në Sardenja të Italisë, një nga destinacionet turistike më të shtrenjta në Evropë.
Në zonën e Costa Smeralda të Sardenjas, qëndrimi për një natë kushton nga 400 euro deri në 2.5 mijë euro. Rezidenca ku po pushon Oni Hysenbelliu kushton rreth 1 mijë euro qëndrimi për një natë.Djali i Irfan Hysenbelliut jo vetëm po shijon pushimet në Sardenja pas pushimeve në Ibiza, Miami, Amanera, Afrikë dhe Zvicër, por edhe u bën karshillëk gazetarëve që marrin rrogat një herë në katër muaj, duke ekspozuar luksin në rrjetet sociale.
Ndërkohë që gazetarët nxiten nga Fania të përplasen me policinë, nën pretekstin se po ndalohen të informojnë popullin dhe po u rrëmbehen dosjet sekrete, Fatmir Hysenbelliu shfaqet paradite në gomone, pasdite në jaht luksoz dhe në darkë me verërat e shtrenjta, të cilat duket se nuk i shijojnë pa ia treguar popullit që pret me padurim të informohet nga televizioni që po mbyt diktatura e Edi Ramës.
Një ditë pasi policia ndërhyri për të marrë në administrim ambientet shtetërore, në zbatim të vendimit të gjykatës, Fatmir Hysenbelliu u shfaq në Toarmina të Sicilisë, në përpjekje për të imituar përfaqësuesit e mafies (në veshje). Prapaskena