Shqipëria në flakë nga jugu në veri. Fshatra të shumtë u evakuuan. Në të gjithë vendin, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë 30 vatra aktive. Gjatë ditës u shënua dhe viktima e parë në Gramsh, një 80 vjeçar, i cili humbi jetën nga asfiksia. Ishte zjarri që ai ndezi në oborrin e shtëpisë së tij, që u përhap me shpejtësi duke përfshirë dhe fshatra të tjerë të zonës, pranë pyjeve të pishës në faqen e malit Koshnicë.
Në orët e pasdites, situata u shfaq problematike dhe në Poliçan, Finiq apo Lekël të Tepelenës, duke vënë në rrezik banorët, ndërsa disa shtëpi u përpinë nga flakët. Autoritetet urdhëruan evakuime të menjëhershme.
Forca të shumta të ushtrisë, por dhe të emergjencave civile, zjarrfikëseve por dhe civilë janë angazhuar në betejat me zjarret. Helikoptëre të ushtrisë shqqiptare por dhe të tjerë të ardhur në ndihmë nga jashtë, janë angazhuar aty ku situatat kanë qenë më problematike.
Për shuarjen e zjarreve, në rang territori po veprojnë nga ajri në total 5 helikopterë; 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe; 1 Black Hawk nga Republika Çeke; 1 Black Hawk nga Sllovakia dhe 1 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë.