Një mbrëmje festive në një restorant në Shkabaj, përgjatë magjistrales Prishtinë–Mitrovicë, ka marrë një kthesë dramatike kur këngëtari i njohur Shpat Kasapi dhe A. K. u sulmuan fizikisht.
Sipas burimeve të “Sinjalit”, viktimat – Shpat Kasapi, rreth 40 vjeç, dhe A. K., rreth 47 vjeç kanë raportuar se sulmi u krye nga F. K., 62 vjeç, B. K., 36 vjeç, dhe B. K., 29 vjeç.Njëri prej të lënduarve ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa policia ka shoqëruar në stacion si të dyshuarit, ashtu edhe viktimat për marrje në pyetje.
Burime hetimore bëjnë të ditur se konflikti ka nisur pas vonesës së Shpat Kasapit në aheng dhe dyshimeve se ai ndodhej në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, F. K. është ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.