Qyteti bregdetar i Sarandës u trondit në mesnatë nga një shpërthim me tritol. Një automjeti të parkuar iu vendos eksploziv, duke e hedhur në erë.
Siç shihet mjeti është përpirë totalisht nga flakët, ndërsa dhjetëra banorë apo turistë të zonës, kanë dalë nga banesat pas shpërthimit të fortë që tronditi Sarandën. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 3 rreth orës 23:50 të 21 korrikut.
Policia e Sarandës bëri me dije se nuk raportohet për asnjë person të lënduar, pasi mjeti ka qenë i parkuar pranë një pallati.
Hakmarrja duket se është motivi i ngjarjes, pasi pronar i mjetit rezulton Klaus Jaçaj 31 vjeç, i shpallur në kërkim nga policia vetën 4 ditë më parë pas një sherri për pronësi.
Ai akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan 2 të rinj pas sherrit për pronën në bregdet.
“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas”, njoftoi Policia.