Itali, ikën vera vjen moti i keq, stuhi e ciklone 1 viktimë. Pritet të mbërrijë edhe në Shqipëri.

Pas ditësh me temperatura përvëluese, një stuhi goditi Italinë veriore pasditen e së dielës, duke shkaktuar një viktimë në Milano dhe dëme të shumta në disa rajone.

Stuhia shkaktoi erëra ciklonike, reshje intensive shiu dhe breshër, shoqëruar edhe me rrufe.

Një grua 63-vjeçare humbi jetën në Robecchetto, pasi u godit nga një pemë që u shemb për shkak të erës së fortë.

Dy persona të tjerë u plagosën lehtë. Autoritetet morën masa për të parandaluar përmbytjen e lumit Seveso dhe për të mbrojtur zonën e Ponte Lambros.Në Milano, u raportuan përmbytje, nënkalimet u mbyllën si masë paraprake dhe parqet u mbyllën për shkak të rrezikut të rrëzimit të pemëve.

Trafiku hekurudhor u bllokua në mbrëmje kur një tren që udhëtonte në linjën Milano-Bologna u godit nga rrufeja pranë Melegnano dhe u ndal.