Një ditë pas ekzekutimit të 36-vjeçarit, Elis Rroshkodoli në Shkodër, nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e krimit. Grupi hetimor dyshon se ekzekutorët janë vrasës me pagesë dhe se pas vrasjes fshihen porositës të tjerë. Rroshkodoli, një person me precedent të mëparshëm kriminal, u vra më 30 gusht me breshëri plumbash teksa ishte ulur në një lokal.
Burime nga grupi hetimor i thanë se në momentin kur është qëlluar 36-vjeçari, në lokal kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, pronari i lokalit dhe dy klientë. Një nga personat e marrë në pyetje ka deklaruar se 36-vjeçari ka qenë vetëm në momentin kur është qëlluar.
Nga dëshmia e personave të marrë në pyetje është zbardhur edhe dinamika e ngjarjes. Sipas dëshmive, autori i maskuar ka mbërritur me një Ben ngjyrë gri, ka ndaluar para lokalit dhe ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj të riut. Viktima ka marrë 14 plumba në trup nga 18 gëzhoja që janë gjetur në vendin e ngjarjes.