Blendi Gonxhe sulmon Policinë e Shtetit dhe mbulon skandalin e juristes së DPSHTRR

Policia e Shtetit noftoi sot arrestimin e juristes së DPSHTRR në Elbasan, pasi kjo e fundit ishte përfshirë në një skandal. Iva Bodurri është arrestuar nga policia, për shpërdorim detyrë dhe falsifikim dokumentesh.

30-vjeçarja, sipas policisë dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke falsifikuar kontrata për pronësinë mbi 3 automjete të marra me qira, të cilat u shitën në kundërshtim me ligjin, nga shtetasit Thanas Beko dhe R. L. (Th. B., i arrestuar dje; R. L. punonjës i DPSHTRR Elbasan, ende në kërkim), pasi iu hoqën GPS.

Por, Blendi Gonxhe ka zgjedhur të sulmojë Policinë e Shtetit, e cila po bën punën e saj. Gonxhe ka mbuluar këtë skandal dhe ka marrë në mbrojtje juristen duke pretenduar se lajmi është i pavërtetë, por nuk ka publikuar asnjë fakt.

Deklarata e DPSHTRR

Në pamundësi të njohjes me aktet, për shkak të fundjavës e festave, sqarojmë se lajmi i sotëm se “kapet” punonjësja e rajonales Elbasan, me iniciale I. B., në kërkim, nuk është i vërtetë. Personi sapo ka mësuar nga portalet online për lajmin e së dielës, është kthyer menjëherë nga udhëtimi familjar dhe ka shkuar vetë në Komisariatin e Elbasanit ku ende pret me avokaten që t’i komunikohet çështja. Në padije për detaje të tjera, mund të sqarojmë se nga ana e drejtorisë rajonale Elbasan dhe çdo strukture tonën, jemi të hapur për çdo informacion e bashkëpunim me organet hetimore, me të dhënat e sistemeve dhe pamjet filmike. Për momentin mund të deklarojmë se personi tjetër i dyshuar, punonjësi me iniciale R. L., rezulton se ka vepruar privatisht, pa asnjë akses në shërbimin e ndërrimit të pronësisë së mjeteve, sepse nuk punon në atë sektor, pra jo në kushtet e abuzimit me detyrën! Ky person ka qenë me leje dhe në cilësinë e personit privat është paraqitur për marrje shërbimi. Dy nga rastet e aluduara lidhen me praktika të noterizuara, pra jashtë shërbimit tonë, ndërsa rasti i tretë lidhet me dyshim për përgjegjësi penale të shitësit pa autorizim korrekt. Për të treja rastet e dyshuara, sa i takon zinxhirit të shërbimit, RBS, procedurës së rajonales Elbasan, rezulton se nuk ka asnjë cënim të integritetit të sistemit operativ! Çdo veprim është i gjurmueshëm, çdo rekord regjistrohet në databazë, çdo dokument apo vetëdeklarim i pasaktë përbën përgjegjësi vetjake! Rastet e dyshuara, deri tani, nuk përfshijnë falsifikim apo tjetërsim brenda entit. Në pritje të konkluzioneve, i kërkojmë medias/portaleve që të mos nxitojnë në kushtet kur nuk ka një informacion të plotë mbi provat. Inkurajojmë të tëra shërbimet e treta që ndërveprojnë, si rasti i noterëve, të investojnë në sisteme digjitale për të eliminuar raste falsifikimesh dhe për të garantuar protokoll e informatizim verifikimi në kohë reale.