Trajneri i ekipit serb takon përzemërsisht Mirel Josën, ja arsyeja!

Një përqafim i ngrohtë, i mbushur me nostalgji dhe respekt të ndërsjellë, ndodhi në prapaskenat e ndeshjes Shqipëri–Serbi, të luajtur në “Arenën Kombëtare”.

Trajneri shqiptar, Mirel Josa, dhe ndihmëstrajneri i Serbisë, Goran Cumic, u takuan pas më shumë se 30 vitesh, në një ribashkim që kapërceu kufijtë e rivaliteteve kombëtare dhe u mbështoll me ndjenja njerëzore.Mirel Josa dhe Goran Cumic kanë qenë bashkëlojtarë në fillim të viteve ’90 te skuadra greke AO Kavala.

Josa, atëherë një mesfushor teknik e kreativ, dhe Cumic, portieri që ruante rrjetën e ekipit, ndanë jo vetëm fushën, por edhe përditshmërinë e futbollit të asaj kohe, kur lufta, politika dhe nacionalizmat ende nuk kishin errësuar gjithçka.