Tërmet në PD priten largime të shumta nga kryesia të atyre që humbën! Më në fund!

Shumë deputetë që nuk arritën të siguronin një vend në Kuvend ose që nuk u përfshinë në lista si zgjedhje të kryetarit, do të largohen nga organet drejtuese të Partisë Demokratike.Ndryshimi i grupit parlamentar do të imponojë rifreskimin e përbërjes së kryesisë së Partisë Demokratike dhe komisioneve parlamentare në nisje të sesionit të vjeshtës, duke përshtatur strukturat me realitetin e ri politik që prodhuan zgjedhjet.

Sali Berisha i dha pushime pa afat mbi gjysmës së deputetëve të grupit parlamentar, të cilët në vjeshtë nuk do të kenë mundësi të ulen në bankën e Kuvendit e, për pasojë, do të zhvishen edhe nga pozicionet që mbanin në parti.

Konfigurimi i ri i grupit kuvendor do të prodhojë një përbërje të re të një tjetër organi vendimmarrës: Kryesisë së Partisë Demokratike, ku shumë figura do të largohen për shkak se nuk do të gëzojnë më pozicionet drejtuese në komisionet parlamentare.

Në Partinë Demokratike askush nuk flet për dorëheqje si rezultat i reflektimit për disfatën elektorale, por rifreskimi i organeve drejtuese dhe riorganizimi i brendshëm është i pashmangshëm si pasojë e realitetit politik që prodhuan zgjedhjet.

Shumë zëra pas humbjes në thellë kërkuan ndryshime të kupolës drejtuese, por Sali Berisha është investuar për momentin në faktimin e asaj që cilëson farsë, me shpresën se me kalimin e vapës dhe rinisjen e vjeshtës, mendjet e demokratëve do jenë freskuar. (TCH)