Qeveria rikthen ligjin diktatorial për studentët e mjekësisë, pas një deshtimi të pajustifikuar në Gjykatën Kushtetuese.

Një vit më parë Ministria e Arsimit së bashku me atë të Shëndetësisë propozuan mbajtjen peng të diplomave dhe internimin e mjekëve të sapo diplomuar.

Nuk u mjaftuan me kaq, por për ta vështirësuar situatën, studentët i vunë përballë sanksioneve prej miliona lekesh. Ministritë dështuan në mbrojtjen, argumentimin dhe paraqitjen e këtij ligji si një zgjidhje për të frenuar largimin e mjekëve të rinj.

Përkundrazi ligji në fjalë do i shtyjë këta mjekë të marrin rrugët drejt botës. Çfarë ndodh më pas? Më e habitshme në gjithë këtë histori është fakti që asnjëra nga ministret nuk pranoi të përballej me studentët. Këta të fundit përvecse protestuan dhe e ndoqën çeshtjen në rrugë ligjore, ishin të gatshëm për t’u ulur në bisedime ose për të punuar mbi një projektligj tjetër më ftues dhe motivues. Pse kjo frikë? Çfarë e pengonte Ogerta Manastirliun të mblidhte në një takim të hapur studentët?

3 muaj pas vendimit te Gjykates, qeveria merr guximin të rishkruajë ligjin po në heshtje, fshehurazi, me një grup pune anonim. E pritshme, këtë dinë ta bëjnë më së miri. E udhës është që të tilla ligje që vendosin mbi të ardhmen e një kombi; të hartohen nga ekspertë të shendetesisë dhe të arsimit jo nga sekretaret e partisë.

Në një kohë kur kryefjalë është demokracia, qeveria shqiptare propozon punën e detyruar duke mohuar totalisht të drejtat e njeriut, levizjes dhe zgjedhjes së lirë. Thënë kjo, ne jemi vite dritë larg koncepteve të demokracisë, vuajme akoma traumat që ka lënë komunizmi. Jashtë çdo vije logjike po fajësohen vetëm mjekët si tradhëtarë, kur në fakt vendi ynë po zbraset dhe kjo jo për fajin e bluzave të bardha.

Pra, pse po ikin shqiptarët?Vlen të theksohet që e ardhmja e një kombi varet nga të rinjtë, por nga të rinjtë e motivuar, vlerësuar dhe mirëshpërblyer për të qëndruar me dëshirë. Zgjidhja nuk është pengmarrja e diplomave apo ligjet anonime. Përsa u përket studentëve të mjekësisë, burime të brendshme na thonë që janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund këmbënguljes së tyre.

Mos ndoshta protestat do marrin një karakter më të ashpër kësaj here ndërkohë që çështja përgatitet për Strasburg?