ADAM LIBOHOVA/ Nga dita në ditë, ngjan gjithnjë e më qartë: Partia Socialiste ka zgjedhur ta flijojë Erion Veliajn. Vendimi i Gjykatës së Lartë për ta lënë në burg kryetarin e Bashkisë së Tiranës është padyshim një ngjarje e rëndësishme, me ndikim të thellë politik.
Por, ajo që godet edhe më fort nuk është vendimi i gjykatës – por heshtja e partisë së tij.PS, që për vite me radhë ka përfituar nga figura e Veliajt si “fytyra e re” e rilindjes urbane, sot është strukur si një organizatë që nuk njeh, nuk mban përgjegjësi dhe mbi të gjitha – nuk kujton.
Asnjë reagim zyrtar. Asnjë deklaratë politike. Asnjë mbështetje njerëzore. Më e pakta, as një “presim drejtësinë”. Një zbrazëti që ulëret.
Për një parti që për çdo çështje tjetër bën kor kolektiv për të mbrojtur edhe figurat më të pabrojtshme, rasti i Veliajt është një akt i pastër fshirjeje nga memoria e organizatës.
Dhe kjo ndodh jo sepse nuk e njohin, por sepse nuk duan më ta njohin. Erioni u bë “i shpenzuar”, ndaj PS e hedh tutje, siç bën me çdo njeri që nuk i hyn më në punë.Kjo nuk është drejtësi. As politikë.
Kjo është pragmatizëm i ftohtë, njëlloj si në mafia: kur dikush rrezikon të të tërheqë zvarrë, e shesin para se të flasë. Sepse e vërteta është se nëse Veliaj bie, ai nuk bie vetëm. Ai e di shumëçka. Ka firmosur për shumëçka. Dhe ka punuar për shumëçka që mban emrin e rilindjes.
Heshtja e PS-së është, në fakt, një marrëveshje e heshtur: “Ne nuk të mbrojmë, ti mos na fundos.” Një kontratë e frikshme, që ngjan më shumë me një mbyllje goje, sesa me ndershmëri politike.
Po ku është Edi Rama në këtë histori? Dikur e quante Veliajn “ylli që ndriçon Tiranën”, sot s’ia përmend as emrin. Ka zgjedhur distancën si strategji. Po të ishte realisht i bindur për pafajësinë e Veliajt, do ta thoshte publikisht. Por heshtja e tij është një lloj aprovimi.
Në fund, Veliaj mund të dalë i pafajshëm. Apo edhe fajtor. Por mënyra si partia e tij e ka lënë të kalbet në burg pa një fjalë mbështetje, është dëshmia më e fortë se në këtë parti nuk ka as solidaritet, as dinjitet, as drejtësi. Vetëm interesa.
Dhe kur vjen puna për të zgjedhur midis një njeriu dhe pushtetit, PS zgjedh gjithmonë pushtetin. Ky është fundi politik i Erion Veliajt padyshim. Por është fillimi i zbërthimit të një partie që për të ruajtur veten, është gati të hajë të vetët.