Media në Shqipëri ka kohë që ka vdekur, ne e kemi vrarë atë!

Në Shqipëri, liria e medias është kthyer prej kohësh në një fjalë të madhe me përmbajtje gjithnjë e më të vogël. Ngjarja e fundit me News 24 – nga tensionet e hapura me qeverinë, deri te bllokimi i transmetimit – nuk është një episod i izoluar, por simptomë e një sëmundjeje të thellë që ka prekur të gjithë peizazhin mediatik.

Në vend të një mjedisi ku gazetaria shërben si pushteti i katërt, kemi ndërtuar një terren ku shumica e mediave funksionojnë si zgjatime të zyrave të PR-it politik apo si mjete presioni për interesa biznesi. Ky model nuk lë vend për pavarësi editoriale – ajo sakrifikohet në tryezën e marrëveshjeve të heshtura, reklamave të shpërndara me kriter politik dhe kontratave publike që varen nga humori i pushtetit.

Rasti News 24 tregon se si një marrëdhënie e mirë mes një televizioni dhe qeverisë mund të kthehet brenda natës në armiqësi, sapo linjat editoriale devijojnë nga axhenda zyrtare.

Ky është një sinjal i qartë: në Shqipëri nuk ka një kornizë të qëndrueshme që garanton lirinë e medias; ka vetëm një rrjet të brishtë marrëdhëniesh të bazuara në interes.Një treg mediatik i kapur nga oligarkët dhe i varur nga buxhetet publike nuk mund të prodhojë gazetari kritike dhe të paanshme.

Gazetarët shpesh gjenden në mes të një rreziku të dyfishtë: ose të vetëcensurohen për të ruajtur vendin e punës, ose të përballen me izolim dhe presione ekonomike.Liria e medias nuk vdes gjithmonë me ligje të ashpra dhe censurë të hapur; shpesh mbytet ngadalë nga varësia ekonomike, nga klientelizmi, nga frika e humbjes së financimit. Në këtë kuptim, ajo që po ndodh me News 24 nuk është thjesht histori e një televizioni, por pasqyra ku shfaqet gjendja e gjithë medias shqiptare.Nëse kjo tendencë nuk ndryshon, Shqipëria rrezikon të mbetet në një zonë gri ku media nuk informon, por orienton publikun sipas qefit të pushtetit dhe sponsorëve të tij. Dhe një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri e verbër – e paaftë të shohë rreziqet që i afrohen.