Demokracia shqiptare u fut në shina, trenisti është në re!

Nga Edvin Kulluri

Viti 1990 dhe viti 1996 kanë qënë dy vitet më kritike të Shqipërisë që po dilte nga komunizmi apo kur menduam se ishim shkeputur prej tij. Në 1990 kur edhe vetë Byroja Politike e PPSH ishte dorëzuar para dështimit të komunizmit, sërish nuk ndërmori asnjë hap për tu tërhequr nga qeverisja diktatoriale drejt ndryshimit të rregjimit qeverisës.

Thjeshtë u detyruan nga lëvizja studentore që kulmoi me greven e urisë së 20 shkurtit, që ti hapnin rrugë pluralizmit politik dhe tregut të lirë.. Të varfër, të roberuar, të cfilitur nga marrëzia staliniste, shumica e shqiptarëve përfunduan në 22 mars të 1992 atë që nisën studentët dhe qytetet kryesore 2 vitë më parë.

Dhe sic ndodh rëndom, ndryshimet I nxiti shtresa e mesme për aq sa mund ta quajmë grupin e studentëve dhe intelektualëve që krijuan Partinë Demokratike.Në 1997, njërëzit ashtu si nëpër jermin e dëshpërimit të humbjes së kursimeve në firmat piramidale, gjetën kurajon për tu derdhur shesheve përkundër qeverisë që nuk pranonte asnjë përgjegjësi.

E natyrisht që përvec dramës ekonomike, një nxitje të fortë kishte shkaktuar edhe marrëzia e 26 dhe 28 majit të një viti më parë. Natyrisht që ato ishin dy data që nuk u shfaqën befas në kalendarin politik të kohës, por ishin paralajmuar që prej humbjes së referendumit të kushtetutës nga një sërë incidentesh politike.

Por një grup gazetarësh përgjithësisht të talentuar të Koha Jonë, disa ish themelues të PD që drejtoni Aleancën Demokratike e ndonjë intelektual I paangazhuar si Lubonja e Rama, ishin një amalgamë që njëfarësoji drejtonin opozitarizmin në legjitimet thuajse të plotë. Mirë apo keq, në qershor të 1997 qeverisja absurde e PD nën diktatin e Berishës u largua.

Këto momente politike të vështira kishin një gjë të përbashkët. Tensionin mes qeverisjes së ligjit apo diktatit të udhëheqësit.

Nëse për PPSH dhe Ramiz Alinë ishte e papranueshme një formë tjetër qeverisjeje përvec diktaturës, diktati I vendimmarrjes nga Berisha në vitet 1992-1997 ishte një parodi demokratiko-autokratike.

E ne fakt nuk ishte asnjëra e as tjetra , pasi demokraci nën autoritetin e individit nuk mund të ketë e as autokraci në emër të demokracisë nuk mund të ekzistojë. Paradoks shqiptar! E megjithatë në të dyja rastet gjëndja ndryshoi, treni shqiptar hyri prapë në shina.