Beqiri: Mbi 200 vrasje në Tropojë, Berisha-Meta bënë planin si do ekzekutoheshin Haklajt!

Dhjetëra dosje të vrasjeve pa autor në Tropojë pas viteve 1997 pritet të rihapen, ndërkohë që SPAK, ka në hetim vrasjet e katër vëllezërve të familjes Haklaj, pas denoncimit ndaj Sali Berishës.

Arben Meçe tha në Report Tv se gjithçka ka nisur me një miting të Berishës në Tropojë, ku pati përplasje me Haklajt. 

“Në 97-98 ka dy elementë. Lufta politike. Gjithçka fillon nga një miting ku Haklajt kundërshtojnë, bëjnë një debat për një miting të Berishës. Më pas kërkesa e Berishës për të kapur birin e Haklajve që prishi mitingun. 98 është një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Tropojës sepse 98 ekspozoi Tropojën si frontin e parë.

Në 98 një strukturë e armatosur po rikonstruktohej në Kosovë dhe më pas FARK-u në Shqipëri. Ishte paralele. FARK-u tentoi të futej në Kosovë përmes Tropojës. Ishte strategji për të futur në konflikt të armatosur dy struktura të armatosura që ishin të organizuara mirë. Haklajt i bënë bllok FARK-ut dhe e çarmatosi. FARK-u u çarmatos nga Haklajt. Kjo asgjësoi një nga skemat më makabre të zhvillimeve post çlirim në Kosovë. Ishte policia sekrete serbe por s’ka qenë vetëm ajo. Ka pasur dhe faktorë shqiptarë. Armiku numër 1 i Haklajve ka qenë Sali Berisha.

Beteja është më shumë se politike. Ata shmangën luftën civile në Kosovë. Me këtë akt Haklajt u shpallën armiq nga Serbia. Fatmir Haklaj është goditur dy herë nëpërmjet skemave të panjohura në Shqipëri dhe nëpërmjet një armatimi që vinin nga korridoret serbe”, tha Meçe.

Avokati Idajet Beqiri shtoi se janë mbi 200 vrasje në Tropojë, ndërsa si pikënisës të tyre edhe ai konsideroi Berishën. E ndërsa e quan ish-kryeministrin “një agjent të vjetër të Serbisë”, Beqiri u shpreh se ai e quante UÇK pjellë të Beogradit. Sa i përket vrasjes së Haklajve, avokati bëri një deklaratë të fortë duke thënë se u planifikua nga Berisha dhe Meta.