Arben Ahmetaj, përse nuk hetohet Erjon Veliaj për inceneratorin e Tiranës!

Me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” që fshihen pas inceneratorit të Tiranës, e duke drejtuar gishtin dhe ndaj kryebashkiakut të kryeqytett Erion Veliaj, ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Drejtësisë shqiptare, u shfaq për herë të parë publikisht, mbrëmjen e së enjtes, në një intervistë të gjatë në televizionin SyriTV.

Pa ofruar fakte apo prova të reja, por kryesisht bazuar në interpretime, ai foli për një prapavijë politike në veprimet e Prokurorisë së Posaçme e cila sipas tij ka ngritur një çështje mbi supozime. Për herë të parë pranoi miqësinë e ngushtë me Mirel Mërtirin, emrin që sipas Prokurorisë qëndron pas tre impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.Që kur në fillim të korrikut, Parlamentit ju kërkua autorizimi për arrestimin e tij, zoti Ahmetaj, ndodhet jashtë vendit.

Ai la të kuptohej se nuk jetonte i fshehur në shtetin ku po qëndron aktualisht e se kishte marrë një status zyrtar nga autoritetet e atij vendi, me gjasë të drejtën e azilit. “Nga 1 Janari jetoj në një shtëpi në pronësi të bashkisë të atij qyteti ku jetoj zyrtarisht”, deklaroi ish zëvendëskryeministri.