Mëngjesin e së shtunës, që prej orës 07:00 të mëngjesit, policia u shfaq në mjediset e televizionit News 24, në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës.
Policia kërkoi mos futjen e gazetarëve në godinë dhe zbrazjen e saj.Në këtë godinë aktualisht ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, ndërsa ende nuk ka një shpjegim zyrtar nga autoritetet se cili është qëllimi.
Prej orës 07:36, sinjali i News24 u ndërpre dhe televizioni nuk është në transmetim.Prej momentit të parë të njoftimit të aksionit të policisë, politika dhe drejtues të opozitës kanë reaguar ashpër dhe e quajnë një sulm ndaj medias dhe fjalës së lirë. Sulm të paprecedentë e quajnë edhe organizatat dhe shoqatat e medias.
Rrjeti ‘SafeJournalists Shqipëri’ shkruan se “ky pengim kufizon qasjen e gazetarëve në redaksitë e tyre dhe pengon aftësinë e tyre për të punuar. Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias”.Më herët mes grupit mediatik dhe autoriteteve ka pasur një përplasje gjyqësore për mjediset me qira ku zhvillohet aktiviteti i këtyre mediave.
Lidhur me këtë ngjarje, ditën e sotme reagoi edhe Avokatura e Shtetit, duke sqaruar se televizionit i ka përfunduar kontrata për qiranë e kësaj godine prej 3 vitesh, më 22 maj 2022, dhe se në datë 25 korrik 2022 u njoftua të lironte ambientet, por kjo nuk ndodhi për shkak se kompania inicioi procese të tjera gjyqësore.
Ndërkohë që, përfundimisht me vendim të Apelit të Administratives që mban datën 14 korrik 2025, është konfirmuar detyrimi për lirimin e menjëhershëm të ambientit.
Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cënohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.