Ngjarja e Vlorës, ajo që tronditi ekranet dhe rrjetet, është më shumë se një episod lokal. Është një shuplakë që vjen nga Jugu, një zonë që shpesh është parë me stereotipe, me përçmim, me të ashtuquajturën “delikatesë jugore”. E pikërisht këtu, në vendin ku Alfred Lela dikur me patos deklaronte se “jugorët janë dele”, erdhi përgjigjja e heshtur, por e fortë: jo, nuk jemi dele.
Por ka një nuancë që duhet ta kuptojë mirë edhe Lela, edhe cilido që sheh jugun si një turmë të bindur. Po, jugorët janë trima. Janë të fortë, të vendosur, të pamëshirshëm kur ndihen të nëpërkëmbur. Vetëm se trimëria e tyre nuk është dhe nuk do të jetë kurrë dekor për ndonjë parti të rrënuar, për ndonjë “mbret” politik që ka humbur çdo betejë morale.
Këtu është çelësi: jugorët nuk janë trima për Saliun. Nuk janë ata që do të derdhin gjakun për karrigen e një lideri të konsumuar. Ata kanë një kod nderi që nuk lidhet me militantizëm, por me dinjitetin.
Dhe kur dikush, si Lela, i trajton si dele, duhet të jetë gati të përtypë edhe këtë realitet: delet, kur u vjen në majë të hundës, bëhen ujq.Ngjarja e Vlorës është një pasqyrë. Aty shikon një jug që s’mund ta veshësh me klishe. Një jug që s’mund ta shesësh si fasadë për ndonjë tribunë të vjetër.
Sepse Vlora, Tepelena, Gjirokastra… nuk janë periferi e mendimit. Janë vendet ku historia ka treguar se kur është koha për të heshtur, heshtet. Por kur është koha për të vepruar, veprohet.
Prandaj, o Lele, mos e ngatërroni qytetarinë dhe mençurinë jugore me bindje verbale. Jugorët janë trima, po, por jo për partitë që u shesin mjegull. Dhe këtë mesazh Vlora e dha më qartë se kurrë.Jugorët nuk janë dele. Dhe kur e ndjejnë veten të fyer, dinë të tregojnë dhëmbët. Vetëm se jo për Saliun.