Në një skenë politike që ngjan më shumë me një teatër absurd sesa me arenën e idealeve, dy emra të mëdhenj të ndershmërisë absolute – Shabani dhe Lapaj – po luftojnë me mish e me shpirt… për të shpëtuar Shqipërinë, natyrisht. Sepse, siç e dimë të gjithë, deputet nuk bëhesh për karrige, por për atdheun.
Shabani, i cili deri dje fliste për qytetarin aktiv dhe ndershmërinë e rrugës, papritur ka zbuluar se qytetaria më e mirë është ajo që matet me mandatin në xhep. Ndërsa Lapaj, gjithmonë i vendosur të mos hyjë në batakun e politikës së vjetër, u kujtua se batalionet e moralit kanë nevojë për liderë… të listuar në Kuvend.Sherri mes tyre? Thjesht një keqkuptim modest për radhën te dera e pushtetit.
Secili pretendon se është shpëtimtari i kombit, dhe si të gjithë shpëtimtarët e tjerë shqiptarë, nuk duron dot të ketë një shpëtimtar tjetër pranë.
Natyrisht, publiku i thjeshtë po i ndjek me frymë të mbajtur këtë duel titanësh, duke pritur që njëri prej tyre të marrë fitoren morale, ndërsa tjetri… ndoshta një post tjetër diku. Sepse, në fund të fundit, karrigia është e shenjtë, por më e shenjtë është të mos mbetesh jashtë saj.