Skandal mjedisor në Elbasan: Zjarri në landfill helmatis qytetin, institucionet heshtin!

Zjarri i ditëve të fundit në landfillin e Elbasanit ka kthyer qytetin në një bombë ekologjike. Tymra toksikë janë përhapur në ajër, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e mijëra banorëve, ndërsa autoritetet vendore dhe qendrore vazhdojnë të mbyllin sytë.

Sipas banorëve të zonës, zjarri nuk është incident i parë – por pjesë e një neglizhence kronike, që ka kthyer vendgrumbullimin e mbetjeve në një vatër të përhershme helmimi. Era e rëndë, tymi i zi dhe ndotja vizuale janë bërë të padurueshme, sidomos për familjet që jetojnë pranë landfillit.“Fëmijët tanë po marrin frymë helm çdo ditë! Ku janë institucionet? Ku është Bashkia? Ku është Ministria e Mjedisit?” – thotë me revoltë një banor i lagjes Zaranika.

Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë për pasoja afatgjata në shëndetin publik, duke përfshirë probleme me rrugët e frymëmarrjes, rritje të sëmundjeve tumorale dhe dëmtime në sistemin nervor për shkak të substancave të rrezikshme që çlirohen nga djegia e mbetjeve urbane.

Pavarësisht alarmit të ngritur, nuk ka asnjë reagim zyrtar, as masa konkrete për të shuar përfundimisht zjarrin dhe as ndonjë hetim mbi shkaktarët dhe përgjegjësit.Elbasani po digjet dhe me të po digjet edhe shpresa për një qytet të pastër dhe të jetueshëm.

Banorët kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Prokurorisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve mjedisore ndërkombëtare. Sepse ky nuk është më një problem lokal – është një krim mjedisor me pasoja të parikuperueshme.–