Parkut të Liqenit Artificial i shtohen edhe 79 pemë të reja. Kryebashkiaku Veliaj tha se falë punës në këto 8 vite, jo vetëm janë çliruar hapësirat e zëna, por janë shtuar edhe sipërfaqet e mbjella.
“Ne na bashkon dashuria për qytetin. Pavarësisht punëve që bëjmë, na bashkon parku, na bashkojnë rrugët, na bashkon qyteti, dëshira për oksigjen dhe gjelbërim. Edhe vetë e kisha harruar sa punë është bërë dhe sa mijëra pemë janë mbjellë në pjesën jugore të Parkut të Liqenit. E kemi dyfishuar parkun, kemi liruar të gjitha hapësirat e zëna.
Është shumë e lehtë ta marrësh për të mirëqenë hijen që bën sot një pemë, por duhet të kujtosh se dikush i mbolli ato para 7-8 vitesh. Pemët që mbjellim sot, ndoshta nuk do të bëjnë hije për ne, por për brezin tjetër që do të vijë, për çuna e goca të rinj që do të transferohen në këtë qytet, për gjeneratën e ardhshme”, deklaroi ai.Veliaj u shpreh se synimi është mbjellja e 100 mijë pemëve të reja deri në fund të sezonit.
Deri këtu çdo gjë duket normale, por nëse shikon detaje dhe bën një llogaritje të thjeshtë, do të duhet që Veliaj të mbjellë 300 pemë çdo ditë që të arrijë në 100 mijë pemë. Diçka e pamundur pasi mbledhja e 300 pemëve çdo ditë as që nuk është e mundur fizikisht, çfarë tregon se Veliaj gënjen!