Nuk ka më asnjë pengesë. Sali Berishën, një ish President, ish Kryeministër, politikan që ka dominuar për 34 vite skenën politike shqiptare nuk e mbron më imuniteti nga arrestimi.
Në një seancë më pak se 9 minuta, me 75 vota pro, 73 të PS dhe 2 të PSD, pa praninë e demokratëve të Bashës, Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për të kërkuar në GJKKO arrest në burg është arrest në shtëpi për Sali Berishën. Në mesditë Kuvendi dërgoi shkresën në SPAK.
Megjithatë edhe në këtë seancë nuk mungoi kaosi i krijuar nga Berisha. Flamur Noka më aktivi nga të gjithë, në dy momente goditi edhe punonjës të Gardës së Republikës, edhe pse më herët ka qenë ministri i Brendshëm i vendit, pra edhe ministri i tyre.
Noka ishte pajisur mirë me tymuese, të gjitha blu dhe të gjitha të ndezura prej tij, i asistuar më çakmak nga Gazment Bardhit. Të dy rrezikojnë një dënim deri në muaj përjashtim tani që rregullorja e re është miratuar.
Kryeparlamentarja Nikolla thirri emrin e Sali Berishës për të folur dhe për të mbrojtur veten por ky i fundit nuk pranoi, duke kërkuar largimin e gardës.
E gjitha kjo nuk e pengoi ngritjen e kartonëve jeshilë, 75 të tillë, të mjaftueshëm për ta bërë Berishën politikanin më të rëndësishëm shqiptar gati për t’u arrestuar.
Ndërkohë kundër arrestit ishte vetëm një grup militantësh në më pak se 60 minuta grumbullim, ku u shfaq edhe vajza e tij Argita Malltezi.
Për të kujtuar se sipas tyre protesta bëhet për të drejtat kushtetuese të opozitës dhe jo për Berishën kishte menduar në mënyrën e tij deputeti Dash Sula. Kërkoi komisionet hetimore, me një tufë qepësh të njoma në dorë, që ‘iu sekuestrua në hyrje’ të Kuvendit.
Pas votës në Kuvend, protestës iu bashkua Berisha, i cili foli pak minuta dhe militantët i shpërndau shpejt, dhe iu drejtua zyrës së tij në seli.
Vendimi i Kuvendit iu dërgua SPAK-ut dhe ky i fundit i propozon Gjykatës së Posaçme GJKKO një masë të re sigurie për Berishën, i cili refuzoi të plotësonte masën e mëparshme detyrim paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore.
Referuar procedurës ligjore, pas depozitimit të kërkesës së SPAK në gjykatë kjo e fundit ka 5 ditë kohë për shqyrtimin e saj.