Plas në PS, Balluku merr “pushtetin” dhe sulmon hapur Spiropalin, në krah i dalin “dishepujt” e Ramës, të pathënat e mbledhjes me dyer të mbyllura në Kuvend. Plas në PS, Balluku merr “pushtetin” dhe sulmon hapur Spiropalin, në krah i dalin “dishepujt” e Ramës, të pathënat e…Partia Socialiste duket se është përfshirë nga një furtunë, ku tensionet mes figurave kyçe po dalin hapur në dritën e opinionit publik.
Belinda Balluku, një nga emrat më të fuqishëm të kabinetit, duket se ka nisur një betejë të ashpër për pushtet, duke sulmuar publikisht Elisa Spiropalin. Më dramatike bëhet situata kur disa nga “dishepujt” më besnikë të Edi Ramës dalin hapur në mbështetje të Ballukut, duke çuar përçarjen në PS në nivele alarmante, raporton “Lapsi.al”.
Por në kulmin e këtyre konflikteve, mbledhja e tensionuar me dyer të mbyllura në Kuvend ka zbuluar dyshimet se brenda partisë ndodhet një “spiun” që nxjerr të gjitha sekretet në media, duke alarmuar socialistët për mundësinë e një krize më të madhe. Ky skenar dramatik dhe plot intriga po kthen skenën politike shqiptare në një arenë ku aleatët e djeshëm po bëhen armiqtë e sotëm.
Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ishte ashtu siç e përcolli shkurt përmes një njoftimi zyra e shtypit të socialistëve. “Gjatë mbledhjes, anëtarët e grupit vlerësuan punën e bërë deri më tani në komisione, duke evidentuar arritjet, sfidat dhe prioritetet për javët e ardhshme.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua te shqyrtimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës”, thuhej mes të tjerash në njoftimin propagandistik që nuk thotë asgjë. E vërteta është se mbledhja e sotme në fakt ishte një “gjyq” për Elisa Spiropalin.
Revanshi i Belinda BallukutNë krye të goditjes së saj në sy të gjithë deputetëve ishte zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Me tone të ashpra ajo fshikulloi Spiropalin për keqmenaxhimin e seancës plenare të javës së shkuar ku u shkaktua kaos pasi mazhoranca futi me shpejtësi projektligjin për faljen e gjobave.
Balluku akuzoi Spiropalin se po favorizonte opozitën duke iu dhënë hapësirë të pamerituar dhe në shkelje të rregullores sipas zv/kryeministres.
Jo vetëm kaq, por Balluku shkoi edhe më tej duke aluduar se kryetarja e parlamentit është nën një presion prej Gazment Bardhit, i cili i dikton edhe sjelljen në seancë plenare.
Balluku ngriti insinuata që Spiropali po shantazhohet nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kujtojmë këtu që Gazment Bardhi i ka përmendur shpesh Pëllumb Gjokën, kryetares së parlamentit Elisa Spiropali.
E ka pyetur publikisht disa herë se çfarë dhurate ka marrë ajo nga Pëllumb Gjoka. Nuk dihet nëse Belinda Balluku ka pasur në mendje pikërisht këto akuza të Bardhit teksa fshikullonte Elisa Spiropalin.
Por numri dy i qeverisë nuk ishte e vetme në këto kritika.Sulmin e Ballukut e pasojnë të tjerëMenjëherë si për t’i rënë në sy asaj e për t’i treguar devotshmëri dhe besnikëri, u rreshtuan “dishepujt” Taulant Balla, Erion Braçe dhe Blendi Klosi.
Gati me të njëjtën gjuhë edhe ata shpërfaqën pakënaqësitë e tyre ndaj Elisa Spiropalit. Pati edhe qëndrime disi më të zbutura si ai i kryetarit të Grupit të PS, Niko Peleshit apo Mimi Kodhelit.
I gjithë “gjyqi” u zhvillua pa praninë e vetë Elisa Spiropalit, e cila mungonte në mbledhjen e sotme të Grupit të PS. Mbase kishte zgjedhur vetë të mungonte duke e ditur se çfarë po gatuhej në prapaskenë.
Asgjë nuk ndodh pa bekimin e Ramës
Fshikullimi i sotëm që Balluku i bëri Spiropalit në sy të të gjithë grupit të PS-së nuk është një axhendë personale, aq më tepër duke e ditur që ajo është e vetmja në radhët e socialistëve që e ka lartësuar aq shumë Edi Ramën duke i thënë Skënderbe. Sulmi nuk mund të bëhej asnjëherë pa bekimin e kryeministrit që mungonte gjithashtu në mbledhjen e grupit.
Askush nuk është i luajtur mendsh në PS sa që të ngrejë krye kundër Kryetares së Kuvendit në sy të të gjithë grupit parlamentar pa pasur më parë dakordësinë e Edi Ramës.Këtë nuk do ta guxonte as Belinda Balluku e jo më pastaj personazhe periferike si Erion Braçe apo Taulant Balla.
Gjithçka duket e orkestruar prej vetë “Skënderbeut” kundër “Mamicës” së tij. Arsyet mbeten ende të paqarta, shkruan “Lapsi.al”.
Por ky artikull i publikuar në media duket se ka acaruar një deputet socialist. Ky i fundit ka shkruar një mesazh në grupin parlamentar të socialistëve, duke akuzuar se një nga kolegët e tij është “i lig” dhe nxjerr të palarat në media.