10 milionë dollarë prezervativë dhe kontraceptivë të padistribuar rrezikojnë të shkatërrohen në Belgjikë pas mbylljes së USAID.
Një stok prej rreth 10 milionë dollarësh (8.6 milionë euro) me prezervativë dhe kontraceptivë të tjerë, të siguruar nga agjencia amerikane për zhvillim USAID, po qëndron i papërdorur në një magazinë në Geel, Belgjikë, dhe rrezikon të shkatërrohet, pasi agjencia po mbyll veprimtarinë e saj.
Sipas The Washington Post, magazina përmban 26 milionë prezervativë, miliona pilula kontraceptive, mijëra implante, 2 milionë doza injektuese dhe 50 mijë shishe me medikamente për parandalimin e HIV-it.
Organizatat joqeveritare kanë tentuar të negociojnë me administratën Trump për të shpëtuar furnizimet nga asgjësimi, një proces që do t’i kushtonte Uashingtonit rreth 145 mijë euro. Por, sipas burimeve të cituara nga AFP, bisedimet deri tani kanë dështuar.
“Nëse nuk gjendet një zgjidhje, këto thjesht do të kthehen në mbeturina,” tha një burim pranë negociatave.USAID, dikur financuesi më i madh i ndihmave humanitare globale me një buxhet vjetor prej gati 40 miliardë euro, u godit nga një urdhër i Presidentit Donald Trump më 20 janar 2025, që vendosi një bllokim 90-ditor të ndihmës së huaj.
Dy javë më vonë, Elon Musk – atëherë një nga këshilltarët kryesorë të Trump – shpalli mbylljen e programeve globale të shëndetit të USAID.Në mars, Sekretari i Shtetit Marco Rubio konfirmoi se 83% e programeve të USAID do të ndërpriteshin, dhe më 1 korrik 2025, operacionet e mbetura të agjencisë u përfshinë nën Departamentin e Shtetit.
Si rezultat, Shtetet e Bashkuara nuk janë më donatori kryesor humanitar në botë.
Kjo rol tashmë është marrë nga Bashkimi Evropian, i cili ka rritur ndihmat për të mbushur boshllëkun e lënë nga SHBA.Në vitin 2023, 67% e kontraceptivëve të USAID u shpërndanë në vendet afrikane, ku shtatzënitë e padëshiruara dhe HIV-i mbeten shkaqet kryesore të vdekshmërisë tek gratë dhe vajzat.Instituti Guttmacher ka paralajmëruar se shkurtimet e USAID mund të shkaktojnë 4.2 milionë shtatzëni të padëshiruara dhe mbi 8.000 vdekje amësore vetëm në vitin 2025.