Ambasada shqiptare në Kiev ka rënë pre e sulmeve me raketa ruse. Lajmi bëhet me dije nga Ministria e Jashtme, e cila njofton se si pasojë e një seri sulmesh ajrore të Rusisë në kryeqytetin ukrainas këtë të premte, është dëmtuar edhe ambasada shqiptare, mëngjesin e sotëm (20 dhjetor 2024).

Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, njofton ministria.
Shpërthime të forta u dëgjuan në qendër të Kievit në një distancë të shkurtër nga njëra-tjetra, pasi autoritetet raportuan se të paktën pesë raketa ishin lëshuar drejt Kievit. Është prekur veçanërisht lagjja Golosivski ku kanë marrë flakë disa makina të parkuara në rrugë. Zona e bombarduar u inspektua nga kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.
Mediat kanë raportuar për 1 viktimë dhe 9 të plagosur.