Sali Berisha dhe ish-deputeti i tij Ervin Salianji janë përfshirë sërish në replika në distancë, pas vendimit për përjashtimin e tij nga gara për kreun e PD më 23 maj. Nga një takim në Dibër, Berisha e akuzoi Salianjin për lidhje me krimin, duke aluduar se kur ishte në burg hante dreka me eksponentë të krimit afër PS.
“Informacione të verifikuara: ky në burg drekonte me Pëllumb Gjokën dhe Oltion Bistrin. Ky opozitë, ata byrazerë të qeverisë.Gjatë verës, ky shkonte në Qerret te Ergys Agasi. Shkon në Elbasan. Më vinin mesazhe që Suel Çela u kërkonte të merrnin pjesë në takime me kërcënim. I mora mesazhet, i verifikova dhe i thashë: ‘E ke përjashtuar veten nga PD. Ti nuk mund të përdorësh bandat kundër demokratëve’. Pas 10 ditësh, në drekë me Taulant Ballën. Kur plasi skandali i Belinda Ballukut, ky krijonte lajme për të sfumuar lajmet për Ballukun”, tha Berisha.
Nuk vonoi dhe përgjigja e Salianjit erdhi menjëherë, duke i kujtuar Berishës vendimin e Gjykatës së Londrës për të lënë në fuqi non gratën e tij, për shkak të lidhjeve të verifikuara me eksponentët kriminalë.
Postimi i Ervin Salianjit
Sali “kolltuku”, alias Sali “brava”, është sot i vetmi politikan në Partinë Demokratike i faktuar nga një gjykatë perëndimore si i lidhur me krimin e organizuar dhe si politikan që i ka përdorur këto lidhje për influencë politike.
Jo nga gjykatat e kapura të regjimit në Shqipëri.
Por nga qeveri të djathta perëndimore dhe nga gjykata britanike.
Ky është fakt. Jo propagandë.
Shfaqja e sotme në Dibër ishte tabloja më e qartë e rënies dhe tregoi pse ky uzurpator nuk bën garë!
Një sallë që nuk mbush dot as dy kate me 200 persona, megjithëse ishte mbledhur i gjithë qarku.
Një lider i braktisur nga demokratët.
Dhe një monolog i mbushur me mashtrime të vjetra.
Kur të lë populli, të mbetet vetëm zëri… dhe ai kthehet në zhurmë!
I njëjti model, i njëjti mentalitet
Lulzim Basha ishte “familjari i dashur” i Saliut:
e promovoi, e përdori dhe e mbrojti.
Sot, edhe pasi u largua Basha, modeli mbeti po ai:
* i njëjti ekip
* të njëjtat vese
* e njëjta mënyrë përzgjedhjeje deputetësh
* e njëjta “opozitë” që ulet në gjunjë për leje, tendera dhe pazare me Ramën
Ka vetëm një ndryshim:
Saliu sot është i refuzuar nga ndërkombëtarët, nga shoqëria dhe gjithnjë e më shumë nga vetë demokratët.
Prandaj nuk bën garë.
Prandaj ka uzurpuar PD-në si frikacak.
Sepse gara e nxjerr zbuluar dhe humb privilegjet dhe paratë per te cilat shet shpirtin!
Sot nis publikimin e fakteve.
Poshtë është një fakt i zi mbi të bardhë:
Vendimi i gjykatës britanike konfirmon se nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për prova të mjaftueshme që lidhin Sali Berishën me korrupsion dhe krim të organizuar.
E vërteta e hidhur;
Ndërkohë që demokratët kërkojnë alternativë dhe fitore,
ata mbahen peng nga një figurë që është shpallur problem sigurie nga aleatët strategjikë të Shqipërisë.
Kjo është drama reale e Partisë Demokratike:
jo përballja me kundërshtarin se atë e mundim, por pengmarrja nga e shkuara
Koha e alibive ka mbaruar.
Ose PD ndahet nga e shkuara e korruptuar,
ose mbetet peng i saj.