Shefi i qeverisë, Edi Rama nuk kursen sërish kritikat ndaj një tjetër gjyqtari të Gjykatës Administrative të Tiranës. Kësaj radhe reagimi vjen për gjyqtarin Klarent Demiri, të cilin kryeministri e akuzoi se ka penguar ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një hapësirë publike të zaptuar nga një lokal, të cilin e ka ndarë edhe me foto.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?”, pyet kryeministri Edi Rama në rrjetin e tij social “Facebook”, ndërsa fjalinë e tij e ka shoqëruar edhe me një emoji të një kocke.
Gjyqtarin e akuzon se vendimi i tij ka rënë ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE.
Një gjë është pak, por e sigurt, thotë kryeministri, duke theksuar se nga ky moment e tutje do të ketë zero tolerancë për të gjithë përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që pengojnë zbatimin e projekteve në interes të publikut.