Edmond Spaho nuk do të jetë në Kuvend në shtator pasi 3 mijë votat që mori nuk i garantuan fitore më 11 maj. Pavarësisht kësaj, ai është përfshirë në një debat publik me Ilir Alimehmetin, i cili kërkon riformatim dhe hapje të Partisë Demokratike.
Deputeti në ikje akuzon strukturat drejtuese organizative në PD, si përgjegjëse për gjendjen e degëve të partisë, që sipas tij, dikur udhëhiqeshin nga njerëz me universitet e sot kanë ngelur ata me arsim fillor.Edhe pse Spaho nuk përmend emra, duket se shënjestër e akuzave është Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm i PD, që është përgjegjës për organizimin e partisë.
Alimehmeti kërkon hapjen e PD: Pa një riformatim të vërtetë bazuar në meritokraci, nuk mund të fitojme.
Gjithçka në degë është vullnetare dhe pa financim, sikurse nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë në historinë e kësaj partie, madje as në vitet më të vështira të saj. Nuk mund të ketë organizim kur në krye të punëve vendos mjeshtrin e çorganizimit.
Ky quhet çorganizim i organizuar”, shkruan Spaho. Edmond Spaho thotë se problem nuk është hapja e partisë, porse duhet të garantohet një garë e ndershme brenda saj.
“Nuk kuptoj këtë hapjen. PD ka që në vitin 1997 që është shqyer duke u hapur. Kaq shumë jemi hapur prej vitesh sa na dhembin këmbët. PD nuk ka nevojë as për hapje e as për mbyllje, refren të cilin e dëgjojmë çdo katër vjet kur humbim zgjedhjet. Ilir, PD ka nevojë vetëm për një gjë, për garë të ndershme zgjedhore brenda saj, të pa manipuluar dhe të pa paracaktuar”, vijon Spaho.
Vetëm pas kësaj thotë deputeti në ikje, njerëzit mund të afrohen në PD dhe PD-ja mund të fitojë ndaj Edi Ramës.