Gjykata Ilir Meta mund të prishë provat, prandaj nuk lirohet!

TIRANË-Ilir Meta nuk mund të lirohet nga qelia pasi me marrjen të pandehur 27 majin e kaluar pozita e tij është rënduar që prej 21 tetorit 2024 kur u arrestua dhe si Presidenti i Partisë së Lirisë ka të gjitha mundësitë të prishë prova dhe intimidojë dëshmitarë.

Ky është argumentimi kryesor i gjyqtarit të GJKKO, Erion Çela, i cili më 13 gusht rrëzoi kërkesën e ish-presidentit për liri.Në vendimin e arsyetuar, gjyqtari Çela thotë se gjatë shqyrtimit të kërkesës nuk ka qenë në asnjë moment para situatave kur gjykata mund të disponojë me zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”: Akuzat mbeten të rënda me dënime të forta, ekziston ende rreziku për të ndikuar në marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe pozita e Metës mbetet ende e fortë që të mund të influencojë në persona që kanë dijeni për faktet apo që mund të thirren në gjyq si dëshmitarë.

“Pozita procedurale e kërkuesit është më e rënduar, pasi në sajë të provave që janë mbledhur gjatë hetimeve ai tashmë ka marrë cilësinë e të pandehurit. Vlerësohet se rreziku për marrjen e provës vijon që të jetë ekzistent kjo pasi gjatë gjykimit do të kërkohet që të pyeten si dëshmitare një sërë personash që bëjnë pjesë në subjektin politik ku i pandehuri është president.

Pushteti dhe lidhjet që i pandehuri ka krijuar për shkak të funksioneve që ai ka aktualisht, ka pasur apo pozitës së tij në shoqëri krijon mundësi praktike të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët potencialë”, thuhet nw vendim. Shqiptarja.com