Diktatori Enver Hoxha përkulej para aktorëve si Mirush Kabashi. Ja dokumenti.

Dokumenti që po publikojmë në këtë shkrim është një procesverbal i një mbledhje të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1979, të cilën e ka drejtuar vetë Enver Hoxha, dhe ndërmjet pikave të tjera të rendit të ditës, është diskutuar edhe për problemet e artit e të kulturës, si dhe të rinisë në përgjithësi.

Nisur nga kjo gjë, aty kanë marrë pjesë si të ftuar edhe Lumturi Rexha, sekretare e parë e Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, Dritëro Agolli, si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Moikom Zeqo, poet, shkrimtar, arkeolog, etj. Siç shihet dhe nga procesverbali, tonin mbledhjes ia ka dhënë vetë Enver Hoxha, dhe nga të pranishmit e ftuar më shumë ka diskutuar Moikom Zeqo dhe më pak Dritëro Agolli.

Ajo që vihet re aty në atë mbledhje, është fakti se është folur e diskutuar shumë për problemet e artit e të kulturës, apo më saktë vetë Enver Hoxha, duket sikur ka dashur të shesë apo tregojë erudicionin e tij dhe e ka kanalizuar temën e bisedave në diskutime e debate akademike, si p. sh.: prejardhja e shqiptarëve, pellazgët, ilirët, gjuha shqipe, kultura, traditat zakonore, veshjet, xhubleta, kinematografia jonë dhe ajo e huaj, etj., etj.

Apo duke përmendur personalitete të kulturës e artit si; Faik Konica, Namik Resuli, Sami Frashëri, Ismail Kadare, Fatmir Gjata, etj., etj., deri te kineastët, e aktorët e kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, si: Ruzhdi Pulaha, Robert Ndrenika e Yllka Mujo etj.