Balluku distancon Ramën nga Spiropali! Kryeministri gati përjashtimin: Ose me ne, ose përballë nesh

Kryeministri Edi Rama i ka treguar vijën e kuqe një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushta, Elisa Spiropalit. Përplasjet e saj me Belinda Ballukun dhe refuzimi për të marrë pjesë në seancën ku socialistët ngritën kartonin për ta mbrojtur ish-zv.kryeministren nga SOAK, duket se janë bërë shkak për krisjen e raportit Rama-Spiropali. Kjo e fundit ka adresuar një sërë kritikash në drejtim të Partisë Socialiste më rrjetet sociale, duke mos kursyer as vetë Ramën.

Por pas këtyre kritikave dhe akuzave të ashpra publike për mënyrën se si PS sipas saj po funksionon me klane dhe interesa personale, Rama e ka paralajmëruar për përjashtim nga grupi. Në mbledhjen e grupit të PS, kryesocialisti Rama mësohet t’i ketë thënë Spiropalit se ka vetëm një shans ose në të kundërt do ta shohë veten jashtë PS-së.

“Herën e parë nuk erdhe në votim, herën e dytë bëre çarçafin. Herë të tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi. Je akoma këtu, sepse nuk dua që PS të humbasë investimin që ka bërë, por merr frymë thellë dhe kupto atë që ke bërë”, mësohet t’i ketë thënë Rama në mbledhjen e grupit.

Kjo është përplasje e dytë publike e Spiropalit me kryeministrin, që kur ajo u la jashtë kabinetit qeveritar. Në një mbledhje të ngjashme një muaj më parë, Rama e paralajmëroi se do ta nxirrte jashtë Spiropalin, pas polemikave të saj me ministren e shtetit Erjona Ismaili.

Burime i thanë Kuqezi se qëndrimet e ashpra publike të Spiropalit e kanë irrituar tej mase kryeministrin Rama, i cili ka qenë i prerë që në fillim.

“Tek puna e partisë nuk mund të beni drama, e kam me ty Elisa! Nuk dua te krijoni situata në parti. Partia ka dy ngjyra, bardhë e zi. Ose me ne, ose përballe nesh”, i ka thënë Rama.

Ish-ministrja Spiropali ka kërkuar fjalën për të sqaruar pozicionin e saj, por nuk është lejuar të flasë nga kryeministri Rama i cili ka thënë se kjo është replika e tij për ato që ish-ministrja ka shkruar në rrjetet sociale.