Elisa nuk është më ‘mamica’ e PS!

Elisa nuk është më ‘mamica’ e PS! Edi Rama ka zgjedhur ish numrin dy të tij në qeveri si ‘kalë beteje’ ndërsa Spiropali po merr goditje të njëpasnjëshme me direktiva të qarta nga ai që e cilësonte si ‘Skënderbeun’ e shqiptarëve! Largimi nga ministria e Jashtme u përfol fort si i lidhur me karshillëkun që Spiropali po i bënte jo vetëm kolegëve por specifikisht kryeministrit, me lidhjet e saj të ngushta në kancelaritë e Europës dhe sidomos ato të Berlinit!

E nga këtu nisën zërat e kulisave brenda partisë të cilat i veshën Elisës rolin e njeriut që katapultoi dosjen e Ballukut në zyrat e Bundestagut! Por kjo mbetet vetëm në kuadrin e ‘gossipit’ politik, ndonëse mund të ketë qenë një arsye e fortë për ‘eleminin’ e Spiropalit nga posti i kryediplomates shqiptare.

Por goditja nuk do të ndalej me kaq! Taulant Balla i kujtoi koleges se mungesa e saj në ditën e votimit historik të PS kundër kërkesës së SPAK për arrestin e Ballukut, do të shqyrtohej në mbledhjen e grupit. Flakë ishte kundërpërgjigja e Elisës, e cila i pohoi Taulantit gatishmërinë e përballjes në mbledhjen e grupit, ku diskutimi theksoi ish-ministrja e Jashtme, duhej të ishte i ‘troçte dhe i ndergjegjshëm’.

Spiropali në fat nuk është një ‘gonxhe’ e re në kopshtin e socialistëve. Hyrja e saj në koridoret e selisë rozë daton në vitin 2009, ku u zgjodh si kryetare e FRESSH. Më pas mbajti postin e Sekretares për Rininë dhe Sekretares për Bashkëqeverisjen, këshilltares bashkiake në Tiranë dhe zëdhënëse e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Nga Tetori 2013 deri në Mars 2015, u zgjodh Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, një post për të cilin vuan mbi kurriz akuzat politike edhe ditët e sotme. Nga viti 2017 ajo u zgjodh deputete e Korçës, ndërsa që prej 2021-it shërben si deputete e Qarkut të Tiranës.

Spiropali dallohej për replikat flakë për flakë me demokratët në Parlament ndërsa posti i marrë në 2019 si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin i rriti pikët publikisht në sytë e liderit të partisë. E nga këtu do të nste katapultimi më i madh i karrierës që e ktheu Spiropalin në numrin 1 të Kuvendit të Shqipërisë, një post të cilin ende sot shumë socialist ‘tradicionalë’ e qajnë me lot.

Por sot, Elisa nuk është më në majën e olimpit. ‘Zeusi’ i PS e ka rrokullisur shumë poshtë, madje mund edhe ta nxjerrë fare nga radhët e ‘mbretërisë’ së tij. Përtej fatit personal politik që mbetet ende mister, ajo që mund të thuhet me siguri është se në PS nuk ka më një ‘mamicë’!/ kuqezi.net