Rama fton Manastirliun në emision, kandidatja për Tiranë shfaq nivel poshtë normales!

Ndonëse Erion Veliaj po ‘lufton’ në Gjykatën Kushtetuese për të pezulluar dekretin e Bajram Begajt, kryesocialsiti Edi Rama ka nisur fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, duke u shfaqur krah kandidates Ogerta Manastirliu në podcastin “Flasim”.

E ulur përballë Manastirliut, e cila rrëfeu detaje nga jeta e saj, që nga fëmijëria, rrugëtimi politik e deri tek gara për Bashkinë e Tiranës, kryeministri Edi Rama iu dha përgjigje edhe disa pyetjeve që kanë dominuar debatin publik që pas shpalljes së zgjedhjeve me dekret të presidentit Begaj.

“Tirana nuk mund të presë më, kush thotë të kundërta nuk e ka idenë se çfarë duhet që kjo lokomotivë të ecë me ritmin e duhur”, tha Rama.Arsyen se përse zgjodhi të shkarkojë Veliajn dhe të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, kryeministri Edi Rama e shpjegoi se kryeqyteti nuk mund të presë më, pasi duhet të ecë me ritmin e duhur.

Por, kryeministri u kujdes të theksojë se Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u dërgua në paraburgim, mes një procesi që sipas tij, po zhvillohet me standarde të dyshimta.“Të tjerat janë zgjedhje krejt normale ndërsa në Tiranë janë të jashtëzakonshme dhe jo sepse Tirana është kryeqyteti, Tirana mbeti pa kryebashkiak për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë.

Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim ku po mbahet ende prej muajsh mes një procesi me standarde që janë të dyshimta”, tha Rama.Jo vetëm opozitës, por shumëkujt që dekretin e Begajt për zgjedhjet në Tiranë e ka quajtur antikushtetues, iu thotë se nuk kanë intelektin e këshilltarit ligjor të Presidencës, Ilir Rusmailit.

E kundërshtarëve politikë, të cilët ende nuk e kanë një emër për garën për Tiranën, iu kujton integritetin që ka Rusmaili përmes dorëheqjes së tij si ministër i drejtësisë gjatë qeverisjes së PD, në kohën kur shpërtheu Gërdeci. “Tirana nuk mund të presë.

Ata që diskutojmë legjitimitetin e dekretit nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të Presidentit dhe ministër të Drejtësisë të PD që vetëm për integritetin e tij dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të bëhej palë me korrupsionin që degradoi në një tragjedi makabre që tmerroi Shqipërinë dhe pataksi botën, jo larg nga ku unë po ju flas diku në vend të quajtur Gërdec”, tha Rama.

Ndërsa i cilësoi zgjedhjet e Tiranës të jashtëzakonshme, kryeministri Edi Rama e ruajti për vete “ekskluzivitetin” e intervistës së parë me Manastriliun dhe me bindjen e fitores e prezantoi si të parën grua në krye të bashkisë së Tiranës.

“Tirana do të ketë jo vetëm të parën grua kryetare bashkie në historinë e vet, por një kryetare bashkie që nuk do mbetet jashtë atij grupi njerëzish që, në këtë qytet, kanë bërë histori”, tha Rama.Manastirliu foli për fëmijërinë e saj në korridoret e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku shoqëronte të ëmën valltare, për profesionin e babait si ushtarak, vendimin në moshën 14-vjeçare për tu kthyer nga Bari në Shqipëri, studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, angazhimin si vullnetare në një grup të rinjsh për zgjedhjet e vitit 2000 për Tiranën ku kandidati i Partisë Socialiste ishte Edi Rama, deri te gara e saj sot për Tiranën, të cilën e quajti një mision historik.

Tirana është rritur; është 1 milion banorë. Është qyteti ku duhet të bëjmë përditshmërinë më të jetueshme e më të gëzueshme. Për mua nuk ka rëndësi karrigia; ka rëndësi kontributi,” tha Manastirliu.Kandidatja e PS tregoi edhe si e priti familja kandidimin e saj, ndërsa edhe kryeministri Edi Rama rrëfeu për herë të parë se përse ia besoi këtë garë pa e pyetur fare. Shqiptarja.com