Shuhet në moshën 89-vjeçare regjisori i madh, Dhimitër Anagnosti. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije vajza e tij, Juna Anagnosti, e cila ka shkruar se pas një lëngimi të gjatë, iu bind ligjit të jetës.
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, ka shkruar ajo krahas një fotoje që ka publikuar në rrjete sociale.
Për ndarjen e tij nga jeta kanë reaguar figura të artit dhe politikës. Kryeministri Edi Rama shkruan se iku ‘babai i kinemasë shqiptare’, autori i shumë skenareve që shenjuan rrugën e kinematografisë.
Presidenti Bajram Begaj shprehet se “Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll”. Ish presidenti Ilir Meta u shpreh se trashëgimia e tij do të mbetet monument i pavdekshëm.
Ai do të varroset në Vuno të Himarës, në vendlindjen e tij, ku ka kërkuar që të prehet. Anagnosti ishte një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinematografisë. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.