The Times: Banorët e Tragjasit sfidojnë oligarkun Samir Mane! Si po favorizohet për ujësjellësin për Green Coast

Plaku ish-polic u përkul, shtrëngoi bicepsin dhe qeshi me të madhe. “I sheh ato gurë?” – tha Hyso Xhuveli, 75 vjeç, duke treguar grumbullin e gurëve të mprehtë që shtriheshin nëpër rrugicën e paasfaltuar, gati për t’u hedhur. “Këtë do të bëjmë nëse ata kthehen përsëri.”

Xhuveli nuk dukej aspak sikur po bënte shaka. Para pak muajsh ai ndihmoi për të zmbrapsur një eskavator të dërguar në Tragjas, një fshat në jug të Shqipërisë, në emër të njeriut më të pasur të vendit, që do të hapte dheun aty ku po qëndronim.

Shoferi i eskavatorit kishte ardhur për të nisur punën në një tubacion që do të cojë ujë nga burimi i fshatit drejt Green Coast, një resort luksoz prej miliarda eurosh në pronësi të biznesmenit Samir Mane, rreth 15 milje larg përgjatë bregut të Adriatikut.

Ky burim i ka mbajtur me jetë banorët që nga koha e ilirëve, fqinjët e lashtë të grekëve. Ai furnizon liqenin e vogël të kristaltë në qendër të fshatit, ushqen fushat me lule të egra, arat me grurë dhe barin e gjelbër ku kullosin lopët dhe delet.

Punimet për Green Coast nisën katër vite më parë dhe dy nga katër seksionet e planifikuara janë tashmë të hapura. Kur të përfundojë, resorti do të shtrihet në 90 hektarë, me vila luksoze dhe shtatë hotele pesë yje, si dhe restorante, plazhe private, stacione policie e ambulance dhe një helikopter-pad. Është zhvillimi turistik më i madh në Shqipëri që nga hapja e vendit ndaj të huajve pas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1990.

Por përpara i qëndron një revoltë. Në mars, Xhuveli dhe disa qindra burra e gra nga Tragjasi rrethuan eskavatorin, duke u përleshur me rreth 50 policë deri sa i detyruan të tërhiqeshin në kodra. Nuk u prek asnjë pëllëmbë toke.

Ky fshat është vetëm një nga mbi 30 komunitete që kanë protestuar kundër një rrjeti tubacionesh të menduar për të furnizuar Green Coast dhe resortet e tjera aty pranë, të cilat do të shtrihen në një sipërfaqe sa gjysma e Londrës së Madhe. Banorët frikësohen se tubat do t’i lënë pa ujë për jetesën e tyre. Me një histori të gjatë luftërash kundër pushtuesve, përfshirë këtu edhe si partizanë krah oficerëve britanikë kundër gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore, ata nuk tremben lehtë.

“Shënoni fjalët e mia, do të ketë gjak nëse kjo vazhdon …” – thotë Mezin Ramohitoj, kryeplaku i fshatit, një murator. “Ka ende vend në memorialin e fshatit.”

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Shqipëria ishte një shtet komunist i varfër, i izoluar nga “luksi” i resorteve turistike prej diktatorit Enver Hoxha. Me bunkerë bërthamorë dhe burgje në male për disidentët, vendi quhej “Korea e Veriut e Evropës”. Tani, në TikTok e Instagram, e etiketojnë si “Maldivet e Evropës” ose “Tajlanda e Evropës”.

Agjencitë e udhëtimeve shohin një Eldorado të ri mesdhetar, me plazhe të bardha dhe ujëra blu po aq tërheqëse sa ato të Greqisë, Italisë apo Kroacisë. Shqipëria është tani destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë, me 11.7 milion vizitorë të regjistruar nga qeveria vitin e kaluar, megjithëse shifra mund të jetë fryrë nga punëtorët turq të naftës dhe diaspora shqiptare që numërohen sa herë hyjnë në vend.

Megjithatë, numri i madh i hoteleve dhe resorteve që po mbijnë përgjatë bregdetit të Adriatikut e Jonit është i padiskutueshëm, sidomos mes Vlorës dhe Sarandës, një segment i promovuar si “Riviera Shqiptare”. Në vitet 2000, Saranda kishte dy hotele: sot numëron 600.

Një në pesë shqiptarë punon në turizëm, ndërsa gjithnjë e më shumë filipinas dhe aziatikë jugorë po vijnë si pastrues e kamarierë. Këtë verë, Ryanair dhe linja të tjera ajrore kanë kryer 44 fluturime javore nga Britania drejt Tiranës. Qeveria po ndërton një aeroport të ri në Vlorë, me plane për fluturime direkte deri nga SHBA.

Edhe familja e Donald Trump ka interes. Vajza e presidentit amerikan, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë shpallur plane për të ndërtuar një hotel prej 1.4 miliardë dollarësh në ishullin ushtarak të pabanuar të Sazanit, përballë Vlorës.

Shumë nga këto projekte janë të kontestuara. Aktivistët akuzojnë qeverinë e Edi Ramës për dhënie tokash me çmime qesharake për investitorët e favorizuar, pavarësisht dëmeve mjedisore. Kritikat fokusohen veçanërisht tek ligji për investimet strategjike i miratuar në vitin 2015, që i lejon investitorët të marrin tokë shtetërore për vetëm 1 euro, ndërsa shteti detyrohet t’u sigurojë akses në ujë, energji e rrugë. (Qeveria ka hapur edhe një tunel për Green Coast.) Ndërkohë, ligji u garanton investitorëve mbrojtje nga pretendimet për pronësi.

Në bregdet, shumë familje thonë se u janë ofruar shuma marramendëse për shtëpitë e tyre, duke u ndjerë të detyruar të pranojnë. Një raport i vitit 2021 nga grupi “Qëndresa Qytetare” tha se ligji shërben “si një formë presioni ndaj pronarëve privatë, të cilët detyrohen të pranojnë marrëveshje me investitorët, sepse përndryshe shteti do të ndërhyjë për t’i shpronësuar me një vlerë që mund të jetë më e ulët se ajo e tregut”.

Në Shqipëri ka mijëra çështje pronësie të pazgjidhura, që nga kolektivizimi i tokës në komunizëm.

Mane, një figurë e respektuar që këtë vit revista Forbes e vlerësoi me pasuri prej 1.5 miliardë dollarësh, këmbëngul se toka për Green Coast është blerë rregullisht. Grupi i tij, Balfin, mohon gjithashtu akuzat se ka shembur pa shpërblim banesat e një lagjeje të varfër në Vlorë për ndërtimin e një marine.

Por gjatë një vizite në terren, një burrë që kishte jetuar 35 vjet me gruan e tij në një shtëpi pranë zonës së marinës tha se dera e shtëpisë i ishte shembur shtatë muaj më parë për t’i hapur rrugë projektit, pa paralajmërim e pa kompensim. “Në Britani keni ligje. Këtu sundon vetëm ligji i më të fortit,” tha ai. Balfin nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi rastin.

Shqipëria ka kohë që identifikohet si vatër pastrimi parash dhe bum-i turistik e ka shumëfishuar këtë, thonë hetuesit. “Hotelet dhe restorantet kanë pasur gjithmonë lidhje me botën e krimit dhe janë përdorur për aktivitete pastrimi parash,” raportoi muajin e kaluar Global Initiative Against Transnational Organised Crime. “Megjithatë, rritja e fitimit të industrisë ka tërhequr investime të mëdha edhe nga burime të paligjshme.”

Mafia shqiptare fiton para nga trafiku i drogës e i qenieve njerëzore, si dhe kontrabanda e emigrantëve dhe armëve. Shumë kompani ndërtimi dyshohen si fasada. Megjithatë, nuk ka prova që Mane, i cili e nisi duke shitur frigoriferë e lavastovilje dhe sot zotëron qendra tregtare, një bankë dhe projekte të shumta në Amerikë e Kanada, të jetë i përfshirë.

Në Shqipëri është e vështirë të dish kush është me kë. Gazetarët investigativë e përshkruajnë politikën e vendit si një sport gjaku mes familjeve të elitës, ku akuzat për korrupsion janë arma kryesore. Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në burg nën akuzën për shpërndarje kontratash publike tek njerëzit e tij dhe shpenzime qindra mijëra euro për bizhuteri e veshje për gruan. Veliaj thotë se prokurorët “kanë ndërtuar një çështje mbi pretendime të pabaza, duke sajuar një thriller të stilit Perëndimi i Egër”.

Prokurori i Sarandës u pezullua në janar për akuza ryshfeti, të cilat i mohon. Paraardhësi i tij u burgos për të njëjtën arsye, u lirua në vitin 2023 dhe u arrestua sërish në qershor.

Një humbës i qartë i këtij bumi turistik është mjedisi. Nika, biolog, tha se 70% e investimeve strategjike në turizëm kryhen në zona natyrore të mbrojtura me ligj, të cilat qeveria mund t’ua japë investitorëve pa detyrimin për të kompensuar banorët. Green Coast, që shtrihet në buzë të Parkut Kombëtar të Vjosës, do të marrë ujë nga një lumë aty, ku jetojnë 13 specie globalisht të rrezikuara, përfshirë bretkosa, peshq dhe zogj.

Kompania Green Coast këmbëngul se nuk ka probleme me ujin dhe se ka mjaftueshëm për banorët, pishinat dhe fushat e gjelbra të resortit. Banorët thonë se llogaritjet mbështeten në matje të vjetra të burimit, i cili tashmë po pakësohet nga ndryshimet klimatike.

Këngëtarja shqiptare Ledina Çelo ndau muajin e kaluar me një milion ndjekësit e saj në Instagram një video ku dukej se rubineti në vilën e saj në resort kishte mbetur bosh.

Myzafer Xhuveli, 80 vjeç, bari në Tragjas tha se ka qenë i detyruar të ulë numrin e deleve nga 1,000, sepse ka më pak ujë se më parë. Ai jeton pikërisht pranë vendit ku planifikohet ujësjellësi. “Duan të shembin shtëpinë time,” thotë ai.

Edhe kryeplaku Ramohitoj është i shqetësuar. Nëse ujësjellësi ndërtohet, “pusi i fshatit do të thahet, temperatura do të rritet, arat do të thahen … njerëzit do të largohen sepse këtu do të kthehet në një vend të vdekur,” frikësohet ai./The Times