Në një intervistë për RTSH, Noka risjell në kujtesë ngjarjen e Vorës, ku si ai, ashtu edhe deputetja demokrate Albana Vokshi, siç thekson, u përballën me sulme të paprecedenta të bandës së zonës.“Ishte çdo gjë që u pa me zë dhe figurë. Zonja Vokshi u kërcënua me rrëmbimin e vajzës, pse kërkoi që banditët të dalin nga qendrat e votimit“, theksoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Flamur Noka tha se Partia Demokratike do të bëjë avokatin e çdo akuze për farsën e 11 majit, me bindjen se i shërben vendit për të garantuar zgjedhje të lira.“Ulërijnë se po nxihet Shqipëria. Jo, Shqipëria nuk po nxihet. Shqipëria e vërtetë sot bën transparencën“, shprehet Noka.
Partia Demokratike ka depozituar 8-të raporte paraprake pranë katër institucioneve ndërkombëtare që kanë patur vëzhgues në Shqipëri për zgjedhjet e 11 majit. Shumë shpejt demokratët do të dorëzojnë edhe raportin final.