Ndonëse ende fati i vulës së PD është në dyert e gjykatave, Gazment Bardhi finalizon bashkimin me Rithemelimin të martën, kur Berisha nga arresti i shtëpisë do ta shpërblejë me postin e nënkryetarit. Bashkë me Bardhin, nënkryetar bëhet edhe Agron Gjekmarkaj për shkak të detyrës që mban si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Me këto ndryshime, që çojnë në 4 numrin e nënkryetarëve të Rithemelimit, aq sa ka aktualisht PD e Lulzim Bashës, ndryshon edhe kryesia e Rithemelimit, që për shkak të “paktit të bashkimit” fryhet me figura të grupit “Bardhi”.Por cila pritet të jetë përbërja e re e Kryesisë së Sali Berishës.
Listës prej 37 emrash, do t’i bashkohen kryesia e grupit parlamentar (Nënkryetari i Grupit Ervin Salianji, kryetaret e Komisioneve Parlamentare të opozitës Jorida Tabaku e Zheni Gjergji, por edhe nënkryetarët e komisioneve, emra si Dhurata Çupi, Tomorr Alizoti apo Ferdinand Xhaferraj.
Futja e këtyre figurave, të rreshtuar rishtazi krah Berishës në kryesi, nuk do të bëhet me votim të Këshillit Kombëtar, ashtu sikurse statuti aktual i PD së Rithemelimit përcakton, se nënkryetarët votohen me votim të fshehtë, por përmes ndryshimeve statutore.
Këshilli Kombëtar që mblidhet të martën nuk do të votojë drejtpërdrejtë për emrat, por ndryshimet e statutit që çojnë automatikisht në kryesi grupin “Bardhi”.Kështu, nenet që pritet të ndryshojnë në statutin e Rithemelimit janë ai 51, që përcaktohen se PD e Rithemelimit ka 2 nënkryetarë, një prej të cilëve është edhe kryetar i grupit parlamentar.
Ndryshimi duhet të përcaktojë shtimin e dy nëkryetarëve. Ndryshim do të kenë edhe të gjithë nenet që përmendin togfjalëshin “dy nënkryetarë”.
Neni tjetër që ndryshon gjithashtu është edhe ai 47, për përbërjen e kryesisë, ku në pikën 1 të saj, do të futen si anëtarë kryesie edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve.Këto dy pika, do të çojnë grupin”Bardhi” pa patur nevojë për votim të fshehtë të Këshillit Kombëtar drejtpërdrejtë në kryesi.