Sot Këshilli i Mandateve mblidhet në Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës, i cili akuzohet për korrupsion pasiv në dosjen ‘Partizani’.
Ndërsa do të shqyrtohet kërkesa e SPAK, Berisha ka thirrur protestë para Kryesisë së Kuvendit.
Policia ka blindua ambientet e Kryesisë, ndërsa ish-kryeministri nuk ka deklaruar nëse do të jetë para anëtarëve të Këshillit të Mandateve për t’u mbrojtur.
Protesta do të vazhdojë edhe të enjten, kur me gjasë, do të votohet në seancë plenare dhënia e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit, nëse socialistët nuk do të nxitojnë të thërrasin një seancë të posaçme më parë.
Edhe në seancën e votimit, pikëpyetja është vota e opozitës, në kushtet kur PS ka konfirmuar votën pro, PD zyrtare është shprehur pro përmes deklaratave, por pa qartësuar prezencën në seancë, ndërsa deputetët e Berishës dhe Bardhit kanë kushtëzuar votën me plotësimin e kërkesave të tyre në parlament.
Ndërkohë për t’i shpëtuar arrestimit, Berisha ka kthyer sytë edhe nga Gjykata Kushtetuese, të cilës i kërkon rrëzimin e vendimit të parë të GJKKO-së e pezullimin e të gjithë të tjerëve që rrjedhin prej tij, në kushtet kur për detyrim paraqitje nuk u kërkua autorizim nga Kuvendi.