Gjykata Kushtetuese ka pezulluar marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Në një njoftim për mediat, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese lajmëroi se është pranuar për shqyrtim padia e deputetëve të opozitës dhe kështu sipas rregullores, deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese kjo marrëveshje pezullohet, që do të thotë nuk do të jetë i mundur as ratifikimi në Kuvend ditën e nesërme. Shqyrtimi i kallëzimit të grupit Berisha-Bardhi do të bëhet me daë 18 janar ora 10:00.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh.
Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”- thuhet mes të tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.