Policia ka reaguar zyrtarisht mbi arrestimin e Renato Bodurrit, një nga personat e përfshirë në dhunën ndaj editorit të “Pamfletit”, Gjergj Zefi.Më herët raportuam se Bodurri ra në pranga, pasi makina e përdorur në ngjarjen kriminale rezulton në pronësi të tij.
Por policia ka dështuar të arrestojë personat e tjerë të përfshirë, teksa njofton se po punon në këtë aspekt.
Emri i Bodurrit doli që ditën e ngjarjes, por u deshën 2 muaj që ai të arrestohej.
Renato Bodurri dyshohet se është pjesë e grupit që është paguar nga një grup kriminal në Elbasan, për të sulmuar fizikisht gazetarin Gjergj Zefi, për shkak të denoncimeve të portalit “Pamfleti”.“Kapet dhe vihet në pranga, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, njëri nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 03.10.2023, ku në rrugën “Bardhok Biba”, u godit me sende të forta administratori i një portali. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 03.10.2023, ku në rrugën “Bardhok Biba”, disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta shtetasin Gj. Z., (administrator i një portali), kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorëve të dyshuar.