Berisha zotohet përpara memorialit të Azem Hajdarit: PD-në do ta ngre në piedestal, Basha ka vetëm intersa personale

TIRANË– Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në homazhet e mbajtura nga ‘Grupimi Dhjetor 1990’ në memorialin e Azem Hajdarit, i cili u vra 23 vite më parë.  Sot për herë të parë pas disa vitesh, për shkak të përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së, Sali Berisha i ka mbajtur homazhet pa ‘birin shpirëtor’, Lulzim Bashën, i cili i zhvilloi ato paraditen e sotme.

Në fjalën e tij, Berisha është shprehur se Partia Demokratike është në gjendjen e saj më kritike, ndërsa u zotua përballë memorialit të Azem Hajdarit se do ta ngrejë partinë që ata themeluan në piedestalin që meriton. Sipas tij demokratët nuk do të mposhten deri në rrëzimin e qeverisë së pazareve, duke nënkutuar kështu një marrëveshje Rama-Basha.

Ish-kryeministri sulmoi Bashën duke thënë se ai sheh vetëm interesin e tij personal dhe jo atë të demokratëve dhe popullit shqiptar. Duke iu referuar vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin nga Grupi i PD-së, Berisha shpreson se demokratët, anëtarët dhe drejtuesit e të gjitha nivleve në PD, do ta hedhin në kosh vendimin e kryedemokratit.

“Erdha për t’u përulur me nderimin më të thellë para veprës së pavdekshme të tribunit legjendar, të revolucionit demokratik të dhjetorit ’90, udhëheqësit të lëvizjes studentore, prijësit të asaj lëvizje, Azem Hajdarit. Si vëllait të tij, në ideale, në besnikëri, Besim Çerës, të cilët u ekzekutuan këtu 23 vite më parë nga fallangat me uniformë të qeverisë së PS-së. Azem Hajdari do jetojë përjetë si një simbol i kurajos dhe guximit të jashtëzakonshëm njerëzor. Do frymëzojë të rinjtë shqiptarë për të qëndruar në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të saj. Askush në histori s’ka bërë për lirinë e shqiptarëve siç ka bërë Azem Hajdari. Nderimi sot i figurës së Azem Hajdarit merr një domethënie më të madhe se asnjëherë. Shqipëria ndodhet në gjendjen më kritike të saj, ashtu si edhe PD.

Është në nderin dhe detyrën e demokratëve kudo që janë, të ngrihen, të ngrenë kokën lart. Trashëgimia e tyre u jep nder dhe frymëzim.

Një poshtërim i padëgjuar dhe i paparë ndonjëherë në historinë e PD ka ndodhur dhe jam i sigurt se anëtarët, mbështetësit, drejtuesit e të gjitha niveleve të PD do të dinë të hedhin në koshin e plehrave vendimin antistatutor, antiligjor, antidemokratik që atij që sot është në krye të PD por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, interesin e tij personal.

Ndaj dhe merreni këtu këtë prani sot edhe si një zotim para tribunit tonë legjendar që ne PD do ta ngremë në piedestalin që ajo meriton, që e ngriti ai me shokët e vet, me bashkëluftëtarët e vet, që demokratët dhe demokratet nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë. Do ngrihen dhe do ecin të sigurt, më të bashkuar se kurrë, më të vendosur se kurrë për të përmbysur regjimin e drogës, krimit, vjedhjeve, regjimin e pazareve dhe të kakistokracisë,” u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së Lulzim Basha, përjashtoi nga Grupi Parlamentar Sali Berishën më 9 shtator, një ditë përpara se të mbahej legjlslatura X e Kuvendit. Basha dekaroi se këtë vendimin e mori në mënyrë persoanle pasi nuk donte që Partia Demokratike të përçahej.

Në mbledhjet e Partisë Demokratike Basha është shprehur se nuk kishte zgjidhje tjetër në lidhje me këtë çështje, pasi vetë Philip Rekeer i kishte kërkuar në zyrë përjashtimin e Berishës dhe nuk pranonte asnjë negocim. Mes Sali Berishës ‘non grata’ dhe aletatit të padiskuteshëm SHBA, kryedemokrati zgjodhi këtë të fundit.

Për këtë vendim, Sali Berisha ka deklaruar se nuk ishte i papërgatitur duke sqaruar se nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të shfrytëzojë influencën e tij “për t’i rikthyer sovranitetin PD-së”, duke mos përjashtuar mundësinë e marrjes së drejtimit të kësaj force politike.